Hapja e negociatave, në interes të Shqipërisë dhe BE-së

2018-12-05 09:34:04 CRI Komenti juaj Printoni

Hapja e negociatave për Shqipërinë me BE-në është në interesin e përbashkët të dy palëve.

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati ndodhet në Bruksel, në kuadër të takimit të ministrave të Jashtëm NATO-s.

Gjatë qëndrimit në Bruksel, ministri Bushati zhvilloi një takim me Kryetarin e Komitetit për Politikën e Jashtme në Parlamentin Europian, David McAllister.

Ministri Bushati falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme të Parlamentit Europian për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, e demonstruar së fundmi dhe në miratimin e rezolutës pozitive për Shqipërinë, e cila inkurajon rrugëtimin drejt hapjes së bisedimeve të anëtarësimit gjatë vitit 2019. Ministri Bushati e njohu McAllister me ecurinë e reformave prioritare të ndërmarra nga qeveria shqiptare me fokus Reformën në Drejtësi, duke u ndalur veçanërisht tek zbatimi i Vetingut.

McAllister evidentoi se "hapja e negociatave me Shqipërinë dhe progresi i tërë rajonit drejt BE-së i shërben jo vetëm rajonit tonë, por është në interes të vetë BE-së".

Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe ecurinë e përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme për Parlamentin Europian. (ATSH)

Mrekulli
Lajmet Kryesore