Ambasada e Shqipërisë në Kinë jep pritje me rastin e Festës Kombëtare

2018-11-28 19:07:07 CRI Komenti juaj Printoni
Ambasada e Shqipërisë në Kinë organizoi më 28 nëntor një pritje me rastin e 106-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. I ftuar në këtë pritje ishte edhe këshilltare e Drejtorisë së Punëve Evropiane të Ministrisë së Jashtme të Kinës Qi Han.

Ambasadori i Shqipërisë në Kinë Selim Belortaja përshëndeti të ftuarit dhe mbajti një fjalim.

Në këtë fjalim, ambasadori Belortaja i njohu të ftuarit me arritjet ekonomiko-shoqërore të Shqipërisë, duke theksuar që Shqipëria ka krijuar një mjedis të mirë për biznesin dhe mirëpret investimet e huaja, duke përfshirë edhe ato kineze.

Përfaqësuesi i diplomacisë shqiptare në Kinë i hodhi një vështrim historisë së miqësisë midis dy vendeve, duke theksuar këmbënguljen e Shqipërisë në politikën e "Një Kine". Zoti Belortaja vlerësoi lart individët dhe institucionet kineze, si Radion e Jashtme të Kinës dhe Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit, për kontributin e tyre në nxitjen e thellimit të njohjes së ndërsjellë dhe të shkëmbimeve midis dy popujve.

Z. Belortaja u shpreh se Shqipëria i kushton rëndësi nismës "Një brez, një rrugë" dhe "Bashkëpunimit 16+1" dhe është bindur që ato do të sjellin përfitime të ndërsjella për Shqipërinë dhe Kinën. Krahas kësaj, ai shtoi që Reforma dhe Hapja e Kinës, që sivjet shënon 40-vjetorin e saj, ka nxitur jo vetëm zhvillimin e ekonomisë së Kinës, por edhe të Shqipërisë dhe botës.

Ambasadori shqiptar vuri në dukje se marrëdhëniet mes Kinës dhe Shqipërisë kanë një bazë të fortë zhvillimi, duke shprehur në fund të fjalës së vet urimet për një të ardhme sa më të ndritur të këtyre marrëdhënieve.

(Wang Xianya)

Mrekulli
Lajmet Kryesore