Investimet e huaja në Kinë, rritje të qëndrueshme në 10-mujorin e parë

2018-11-16 14:19:52 CRI Komenti juaj Printoni

Nga janari deri në tetor të këtij viti, sipas të dhënave zyrtare, Kina ka përdorur 107.76 miliardë dollarë amerikanë investime të huaja, 6.5 për qind më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Investimet jo të drejtpërdrejta financiare të Kinës jashtë vendit gjatë kësaj periudhe ishin 89.57 miliardë dollarë, me një rritje 3.8 për qind krahasuar me dhjetë muajt e parë të vitit 2017. Zëdhënësi i Ministrisë së Tregtisë Gao Feng vuri në dukje se investimet e huaja në Kinë në dhjetëmujorin e parë të sivjetshëm kanë pasur rritje të qëndrueshme. Po ashtu, edhe investimet kineze jashtë vendit kanë pasur një zhvillim të shëndetshëm.

Shifrat e dhjetë muajve të parë të këtij viti tregojnë se sektorët industrialë të teknologjisë së lartë të Kinës, sidomos sektori i prodhimit me teknologji të lartë, ka tërhequr investime të huaja në rritje të vazhdueshme. Përdorimi aktual i investimeve të huaja në sektorin e prodhimit u shtua me 12.4 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa investimet e huaja në prodhimin me teknologji të lartë u rritën me një të tretën, duke arritur në 73.78 miliardë juanë.

Rritja më e madhe e investimeve të huaja vërehet në zonat perëndimore të Kinës, me 16.8 për qind. Në zonat e tregtisë së lirë pilot rritja ka qenë 10.5 për qind. Ndër to, rritje më të madhe kanë pasur zonat e tregtisë së lirë pilot në Tianjin dhe Fujian, përkatësisht me 29.5 % dhe 136.2 %.

Në fushën e investimeve jashtë vendit, investitorët kinezë kanë kryer investime të drejtpërdrejta jofinanciare në kompanitë e huaja nga 155 vende e rajone të botës. Ndër to, investimet në vendet përgjatë "Një brez, një rrugë" kanë mbajtur ritmet e shpejta të rritjes. Zëdhënësi i Ministrisë së Tregtisë Gao Feng tha:

"Nga janari deri në tetor, kompanitë tona kanë bërë investime të reja në 55 vende përgjatë 'Një brez, një rrugë', me një shumë të përgjithshme prej 11.9 miliardë dollarësh, 6.4 për qind më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar."

(Wang Xianya)

Mrekulli
Lajmet Kryesore