Monika Kryemadhi: Modeli i zhvillimit të Kinës dhe Shqipëria

2018-11-12 19:11:01 CRI Komenti juaj Printoni

NGA MONIKA KRYEMADHI

Nuk përbën më ndonjë surprizë fakti që çdo vizitë në Kinë është gjithnjë sa befasuese aq edhe mbresëlënëse, jo vetëm se Kina përfaqëson civilizimin më të vjetër botëror që vazhdon pa ndërprerje, jo vetëm se mikpritja kineze është e prekshme dhe shkon shumë përtej ekselencës protokollare, jo vetëm se kinezët kanë aftësinë e rrallë të sintetizojnë në një frazë një filozofi dhe ideologji që përbën bazën e gjithë qeverisjes, por mbi të gjitha, ngaqë këtë herë krijova bindjen e patundshme se, sot Kina është një realitet i jashtëzakonshëm që duhet njohur, studiuar dhe nga i cili duhet përfituar pa paragjykim.

Dyzet vjet më parë, Kina mori një vendim strategjik që të hapej ndaj botës, të bindur se kështu do konkurronin me sukses, duke projektuar kulturën dhe civilizimin e tyre të lashtë, të armuar me modelin e tyre zhvillimor, ku inovacioni ishte tipar themelor.

Hapja sjell reforma dhe reformat sjellin zhvillim. Ky është thelbi i asaj çka ndodh në Kinë në këto 40 vite. Duke lënë mënjanë modestinë e shquar kineze, një drejtues i rëndësishëm u shpreh se "ne si popull kemi filluar të ndiejmë lumturinë", gjë që do doja ta dëgjoja shumë më shpesh kur bëhet fjalë për popullin tim. Për hapjen kemi nevojë shumë edhe ne shqiptarët, jo vetëm në vlerësimin me realizëm dhe pa paragjykim të asaj çka ndodh në Kinë, por veçanërisht, në kuptimin e asaj që duhet të bëjmë për të zhvilluar më tej vendin dhe përmirësuar jetën e njerëzve, me shpresë që dëshirës së tyre për t'u larguar prej tij, t'ia lërë "përjetimi, sadopak, i lumturisë këtu, në tokën tonë".

"Objektivi është mirëqenia e njerëzve, energjia për të arritur këtë janë reformat". Kjo ishte mantra. Ky ishte metri që maste çdo gjë, kualifikonte dhe skualifikonte: A përfitojnë qytetarët?

Siç është iniciativa kineze "Një Brez, një Rrugë" dhe platforma për financimin e projekteve në 16 vendet e Europës Qendrore e Lindore, e quajtur 16+1.

Në përqasjen e re me Kinën duhet të treten paragjykimet, ngado që vijnë ato, nga Tirana qeveritare, Brukseli apo ngado tjetër. BE-ja dhe SHBA-ja janë konsumatore të produkteve dhe shërbimeve kineze edhe në sektorë strategjikë dhe e dinë mirë standardin e lartë të cilësisë dhe inovacionit që ato përfaqësojnë. Një kompani lokale Hi-Tech në qytetin industrial Guangzhou jepte shërbime për NASDAQ, për CNN, për Parlamentin gjerman dhe shumë kompani të tjera prestigjioze

Ndërkohë, spikat marrëdhënia Gjermani-Kinë, me një volum të jashtëzakonshëm shkëmbimesh e investimesh respektive. Gjermania ka një volum shkëmbimesh me Kinën në rreth 170 miliardë USD dhe në tregun kinez realizohet 60 % e fitimit të kompanisë gjermane "Volkswagen", që është edhe punëdhënësi më i madh në Europë.

Për më tepër, pala kineze ka shprehur qartë se është e gatshme për çdo lloj bashkëpunimi trepalësh me BE-në dhe Shqipërinë jo vetëm në fushën e investimeve, por edhe të vetë procesit integrues europian të Shqipërisë. Në fund të fundit, rrugëtimi i integrimit të Shqipërisë në BE është i lidhur në mënyrë thelbësore edhe me zhvillimin tonë ekonomik, me standardin e jetës së qytetarëve. Ndaj çdo vend, që ofron mbështetje për Shqipërinë, duhet të jetë i mirëpritur.

Marrëdhëniet mes Shqipërisë, BE-së dhe Kinës nuk kanë pse të jenë kushtëzuese dhe as përjashtuese ndaj njëra-tjetrës. Kina është një mbështetëse e madhe e rrugëtimit të Shqipërisë drejt BE-së, sepse një Shqipëri Europiane do të thotë një partner më serioz, më i besueshëm dhe me më shumë mundësi bashkëpunimi.

Në fakt, në këtë trekëndësh bashkëpunimi, shikoj zgjidhjen për realizimin dhe financimin e gjithë projekteve të konektivitetit, të përcaktuara nga Samiti i Vjenës, në kuadër të Procesit të Berlinit. Së treti, bashkëpunimi me Kinën mund të shkojë përtej projekteve të infrastrukturës së transportit dhe energjisë. Është një fakt që kompanitë kineze të inovacionit kanë penetruar thellë në shërbimet sociale të arsimit dhe shëndetësisë.

Se katërti, orientim i rëndësishëm i bashkëpunimit mes dy vendeve duhet të jetë turizmi. Nuk e kam fjalën vetëm për vazhdimin e trendit në rritje të turistëve kinezë që vizitojnë Shqipërinë. Para së gjithash, vlerë të shtuar bashkëpunimi sjell adoptimi i modeleve të rritjes së kapaciteteve dhe ekspertizës turistike, ashtu siç ofrohet në cilësinë më të lartë, Fakulteti i Turizmit në Universitetin e Unionit të Pekinit, që ka arritur të imponohet edhe si hartues i strategjisë kombëtare të zhvillimit të turizmit në Kinë.

Replikimi i modelit të tij në Universitetin e Tiranës, jam e sigurt që do të garantojë mbushjen e vakumit të ekspertizës që ka sot ky sektor prioritar i ekonomisë së vendit dhe do t'i japë këtij sektori qartësi strategjike në zhvillimet e ardhshme. Pse jo, edhe një mundësi aksesi në tregun tepër të madh të turizmit të Kinës.

Së fundmi, por jo nga rëndësia është Bujqësia. Aplikimet inovative në bujqësi po jepnin frytet e tyre në Kinë, ku tregu kinez përfaqëson një mundësi të pafundme shkëmbimesh.

Në përfundim, unë dua të shpreh bindjen time se për marrëdhëniet me Kinën duhet të punojnë më shumë e të flasin më pak gjithë forcat politike dhe pse jo, edhe shoqëria civile. Këtë duhet të bëjnë të gjithë, me mendje të hapur dhe realizëm. Mendoj se ky moment është një mundësi e fundit për të mos e humbur përsëri trenin e shpejtë kinez./Panorama/

Mrekulli
Lajmet Kryesore