10-vjetori i "11 nëntorit", konsumatorët kinezë janë më entuziastë dhe kërkojnë shumëllojshmëri

2018-11-12 17:34:05 CRI Komenti juaj Printoni

Kur "ranë kambanat" e mesnatës mes 10 dhe 11 nëntorit, filluan Karnavalet Globale të Blerjeve të "Dy njëshave" ose "Ditës së beqarëve". Sipas statistikave, në platformën kryesore kineze të tregtisë elektronike "T-Mall", gjatë kësaj feste, vëllimi i përgjithshëm i shitjeve arriti në 213.5 miliardë juanë. Ndërsa në platformën tjetër të tregtisë elektronike, "JD.com", gjatë gjithë ditës së 11 nëntorit, vlera e përgjithshme e porosive ishte 159.8 miliardë juanë. Ekspertët u shprehën se shifrat që janë në rritje prej vitesh, tregojnë shtimin e dëshirës për konsum të kinezëve dhe rritjen e cilësisë së konsumit. Me zhvillimin e tregtisë elektronike, mallrat që blihen nga konsumatorët kinezë do të jenë më të ndërkombëtarizuara.

Nga viti 2009, kur 11 nëntori ishte "Festa e beqarëve", deri më sot kur kjo ditë është bërë festa ndërkombëtare e blerjeve, kompania "Alibaba" ka analizuar nëpërmjet të dhënave të mëdha prirjen dhe karakteristikat e konsumatorëve kineze gjatë këtyre dhjetë vjetëve. Statistikat tregojnë se më 11 nëntor 2009, vëllimi i i përgjithshëm i tregtisë në uebsajtin "Taobao" të kompanisë "Alibaba" ishte 52 milionë juanë. Sivjet, në 21 sekondat e para pas mesnatës, në platformën "T-mall" të kompanisë "Alibaba" vëllimi i i përgjithshëm i tregtisë i kaloi 1 miliard juanët, kurse rreth orës 23 numri i porosive i kaloi 1 miliardët. Një përgjegjës nga "Alibaba" u shpreh se nga dyqani real deri në dyqanin në internet, nga qyteti deri në fshat, nga brenda dhe jashtë Kinës, "Dy njëshat", si "zjarret në dimër", kanë ndezur entuziazmin e konsumatorëve kinezë, duke treguar besimin e tyre dhe gjallërinë e ekonomisë kineze.

Drejtori i Zyrës së Studimeve për Ekonominë e Re pranë Qendrës Kërkimore të Zhvillimit të Këshillit të Shtetit të Kinës Zhu Min analizon se të dhënat përgjatë një dekade tregojnë rritjen e fuqisë së konsumit të kinezëve:

"Të dhënat janë shumë intuitive. Në këtë 10-vjetor mund të shohim që është e dukshme prirja e rritjes së nivelit të konsumit të shtetasve kinezë. Qeveria kineze nxit rritjen me cilësi të lartë dhe jetesën cilësore. Në këtë kontekst, të dhënat nga 'T-mall'-i në ditën e 11 nëntorit pasqyrojnë ndryshimin e kërkesave të konsumatorëve. Nga njëra anë, kjo tregon që konsumi po luan një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në ekonominë kombëtare. Nga ana tjetër, karakteristikat e konsumit po shndërrohen nga kërkimi i produkteve luksoze te produktet cilësore me çmim të leverdishëm."

Krahas kësaj, edhe produktet cilësore dhe të importuara po bëhen më të parapëlqyera nga konsumatorët kinezë. Në "T-mall", shitja e produkteve kozmetike dhe pelenave nga Japonia dhe të flokëtharëseve nga Britania i kaloi 10 milionë juanët në orën e parë. Edhe karkalecat e detit nga Kanadaja, biftekët australianë dhe avokadot meksikane janë ndër produktet më të preferuara nga konsumatorët kinezë. Studiuesi Zhou Mi nga Ministria e Tregtisë e Kinës thotë që, gjatë këtyre dhjetë vjetëve, platforma e tregtisë elektronike ka sjellë më shumë produkte importi në Kinë, ka bërë që konsumatorët të kenë më shumë mundësi dhe njëkohësisht ka nxitur konkurrimin e ndershëm mes bizneseve dhe përmirësimin në fushën e ofertës.

Fjalë kyçe: Konsum

Mrekulli
Lajmet Kryesore