Macron-i: Europa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen

2018-11-12 10:38:18 CRI Komenti juaj Printoni

Presidenti francez Emmanuel Macron ka mbrojtur thirrjen e tij për të krijuar një ushtri të Bashkimit Europian, duke theksuar se Europa duhet të marrë përgjegjësi më të madhe për mbrojtjen e vet.

Macron-i u takua të shtunën me presidentin amerikan Donald Trump, që ndodhej në Paris për të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore për 100-vjetorin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore.

Duke folur në një konferencë shtypi pas takimit, Macron-i tha se ai dhe presidenti i ShBA-së Donald Trump ranë dakord se Europa duhet të mbajë një barrë më të madhe për mbrojtjen e vet:

"Për këtë arsye unë besoj se propozimet e mia për një mbrojtje europiane janë krejtësisht në përputhje me këtë, sepse kjo thotë më shumë Europë brenda NATO-s, më shumë kapacitete, për të mbajtur pjesën tonë të barrës. Mendoj se kjo është shumë e drejtë dhe shumë e rëndësishme."

Nga ana e tij, duke iu drejtuar Macron-it, presidenti Trump u shpreh:

"Unë e vlerësoj atë që thoni ju për të mbajtur një pjesë të barrës. Ju e njihni qëndrimin tim dhe ne duam një Europë të fortë. Është shumë e rëndësishme për ne që të kemi një Europë të fortë dhe, ciladoqoftë mënyra që ne mund ta bëjmë këtë më mirë dhe me më shumë efikasitet, është ajo që ne duam."

Më parë Trump-i ka kërcënuar se do të tërheqë financimin amerikan për NATO-n nëse vendet anëtare europiane nuk mund të arrijnë objektivin e shpenzimeve të kërkuara sipas traktatit.

(Fang Xiaoyu)

Mrekulli
Lajmet Kryesore