Xi Jinping-u takohet me ish-sekretarin e Shtetit të ShBA-së Kisinger

2018-11-08 20:49:07 CRI Komenti juaj Printoni
Presidenti kinez Xi Jinping u takua të enjten në Pallatin e Madh Popullor në Pekin me ish-sekretarin e Shtetit të ShBA-së Henri Kisinger.

Xi theksoi se Kisingeri është një mik i vjetër i popullit kinez dhe ka dhënë një kontribut historik në zhvillimin e marrëdhënieve kino-amerikane, të cilin "ne nuk do ta harrojmë kurrë". Për më shumë se 40 vjet, marrëdhëniet kino-amerikane kanë përjetuar zigzage, por situata e përgjithshme e tyre ka mbetur e qëndrueshme. Bota sot po përballet me një ndryshim të madh që nuk është në 100 vitet e fundit. Bashkësia ndërkombëtare është në kërkim të zhvillimit të vazhdueshëm dhe në drejtimin e duhur të marrëdhënieve Kinë-ShBA.

"Presidenti Trump dhe unë kemi rënë dakord të takohemi në Argjentinë gjatë Samitit të G20-s dhe të dy palët mund të shkëmbejnë pikëpamje mbi çështjet me interes të përbashkët," vuri në dukje kreu i shtetit kinez.

Xi Jinping-u theksoi se Kina dhe Shtetet e Bashkuara duhet të kenë një gjykim të saktë për objektivat strategjike të njëri-tjetrit. Kohët e fundit, në ShBA zërat negativë për Kinën janë rritur, gjë që meriton vëmendje. Kina ngul këmbë në zhvillimin paqësor dhe mbetet e angazhuar në zhvillimin e marrëdhënieve me ShBA-në pa konflikt e përballje, në bazë të respektit të ndërsjellë, bashkëpunimit dhe të përfitimeve të ndërsjella. Pala kineze është e gatshme që të zgjidhë përmes konsultimeve miqësore me palën amerikane problemet që dalin gjatë zhvillimit, mbi bazën e barazisë dhe frymës së mirëkuptimit të ndërsjellë. Në të njëjtën kohë, pala amerikane duhet të respektojë të drejtat dhe interesat e ligjshme të palës kineze në përputhje me rrugën e saj të zhvillimit që ka zgjedhur.

Henri Kisingeri shprehu nga ana e tij kënaqësinë që takohej përsëri me presidentin Xi Jinping në Kinë në një çast të rëndësishëm, kur marrëdhëniet kino-amerikane kanë hyrë në një fazë të re. Ai tha se në dekadat e fundit e ka vizituar shpesh Kinën dhe ka qenë dëshmitar i zhvillimit të saj. Në gjendjen e tanishme, bashkëpunimi ShBA-Kinë është vendimtar për paqen dhe begatinë botërore. "I vlerësoj shumë përpjekjet e Kinës për këtë qëllim," tha ish-shefi i diplomacisë amerikane. Ai theksoi se marrëdhëniet ShBA-Kinë kërkojnë një të menduar dhe vizion strategjik. Të dy palët duhet ta kuptojnë më mirë njëra-tjetrën, të forcojnë komunikimin strategjik, të zgjerojnë interesat e përbashkëta e të kontrollojnë dallimet dhe t'i tregojnë botës se interesat e përbashkëta të tyre janë më të mëdha se dallimet. Kisingeri shprehu shpresën që presidenti Trump dhe presidenti Xi Jinping do të kenë një takim të suksesshëm gjatë samitit të G20-s në Argjentinë.

Mrekulli
Lajmet Kryesore