ShBA: Pritet luftë e ashpër politike pas marrjes së Dhomës së Përfaqësuesve nga demokratët

2018-11-08 20:02:35 CRI Komenti juaj Printoni

Pas një gare të ashpër, demokratët morën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve në zgjedhjet afatmesme të zhvilluara të martën në ShBA, ndërsa republikanët mbajtën Senatin.

Tani është krijuar skena për një luftë në Kongres ndërmjet të dy partive.

Fitorja nga demokratët e dhomës së ulët do të zhvendosë balancën e fuqisë nga një Kongres i kontrolluar vetëm nga Partia Republikane te një i kontrolluar nga të dy palët.

Amerikanët janë të ndarë mbi presidentin Trump. Një gjë e tillë çoi në fitoren e Dhomës nga demokratët, pasi votuesit e majtë u motivuan nga kundërvënia e tyre ndaj Trump-it për të votuar.

Por ekspertët gjithashtu thonë se fitorja e Senatit do ta rrisë peshën e Trump-it te republikanët. Shumë senatorë ia detyrojnë fitoren e tyre fushatës që bëri Trump-i për ta, pasi presidenti kryesoi mbi 50 mitingje në muajin e fundit të fushatës zgjedhore.

Fitimi i Senatit nga Partia e Madhe e Vjetër, siç njihet Partia Republikane, do të thotë gjithashtu se presidenti mund të vazhdojë të konfirmojë emërimet e tij të gjyqtarëve federalë konservatorë, dhe se ristrukturimi i ardhshëm i kabinetit do të jetë pa ndonjë problem, pasi ligjvënësit në Senatit do të miratojnë kandidaturat e tij.

Ka çështje të panumërta për të cilat Trump-i dhe demokratët pritet të përplasen. Ka të ngjarë që së shpejti Dhoma e re e Përfaqësuesve, e kontrolluar nga demokratët, të fillojë hetimet mbi Shtëpinë e Bardhë për çështje që shkojnë nga të dhënat e pagimit të taksave nga Trump-i në marrëdhëniet me Rusinë.

Aktualisht, Trump-i ndodhet nën hetim nga Këshilli i Posaçëm i drejtuar nga Robert Mueller-i për bashkëpunim të dyshuar me Rusinë gjatë fushatës zgjedhore për president. Trump-i e ka mohuar me forcë këtë, duke e quajtur një "gjueti shtrigash".

Mrekulli
Lajmet Kryesore