Tregtia e jashtme e Kinës ruan rritjen të qëndrueshme nga janari në tetor

2018-11-08 20:00:59 CRI Komenti juaj Printoni

Tregtia e jashtme e Kinës në dhjetëmujorin e parë të vitit u rrit 11.3 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vjetshme, duke arritur në rreth 25 trilionë juanë, ose afro 3.6 trilion dollarë amerikanë.

Eksportet u rritën me 7.9 % gjatë kësaj periudhe, ndërsa importet me 15.5%.

Kreu i Departamentit të Statistikave dhe Analizave në Administratën e Përgjithshme të Doganave Li Kuiwen thotë:

"Në dhjetë muajt e parë, importet dhe eksportet kanë ruajtur një rritje të qëndrueshme, kryesisht për shkak se ekonomia botërore po rimëkëmbet. Ekonomia kineze në tërësi ka ruajtur stabilitetin, duke bërë përparim të qëndrueshëm. Janë vënë në jetë një varg politikash që kanë si qëllim të stabilizojnë tregtinë e jashtme dhe mjedisi i biznesit është përmirësuar gradualisht."

Tregtia e jashtme e Kinës me Bashkimin Evropian, partnerin e vet më të madh tregtar, u rrit 8.4% në janar- tetor krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017, kurse me Shtetet e Bashkuara me 7.4 për qind, e ndjekur më pas nga tregtia me ASEAN-in.

Li Kuiwen-i u shpreh që përmirësimi i mjedisit të biznesit në porte është një nga faktorët që kanë çuar në rritjen e tregtisë së jashtme:

"Sipas raportit të fundit të Bankës Botërore, Kina u ngjit 32 vende, duke arritur në vendin e 65-të në renditjen e tregtisë ndërkufitare, gjë që siguron një mbështetje të fortë për rritjen e qëndrueshme të tregtisë së jashtme."

Bai Ming nga Akademia Kineze e Bashkëpunimit Ekonomik dhe Tregtar Ndërkombëtar bëri thirrje për më shumë masa për të përshpejtuar transformimin dhe përmirësimin e tregtisë së jashtme:

"Duhet ta kthejmë vëmendjen nga përparësitë e mëparshme në ato të reja, duke u fokusuar në koston e punës, për të përballuar konkurrencën globale. Duhet të marrim masa të gjithanshme për të mbështetur tregtinë tonë të jashtme me anë të përmirësimit të sektorëve të ndryshëm, duke përfshirë edhe cilësinë, shërbimet, teknologjinë, markat, standardet, si edhe menaxhimin dhe shitjen."

Li Kuiwen tha se Kina do të vazhdojë përpjekjet për të nxitur importet dhe për t'i dhënë energji të re ekonomisë botërore. (Vera)

Mrekulli
Lajmet Kryesore