Ambasadorja kineze Jiang Yu viziton Kolegjin Universitar "Luarasi"

2018-11-02 10:19:06 CRI Komenti juaj Printoni

Ambasadorja e Kinës në Shqipëri Jiang Yu ishte e ftuar të enjten në Kolegjin Universitar "Luarasi", ku u takua me rektorin, pedagogë e studentë, duke i dhuruar edhe libra librarisë së kolegjit.

Ambasadorja Jiang i njohu studentët me gjendjen e përgjithshme dhe konceptin qeverisës dhe zhvillimor të Kinës, si dhe me zhvillimet e fundit të marrëdhënieve dypalëshe kino-shqiptare.

Përfaqësuesja e diplomacisë kineze në Shqipëri u shpreh se miqësia mes dy popujve, që është trashëgur ndër breza, është një bazë e fortë dhe një forcë drejtuese afatgjatë për marrëdhëniet dypalëshe. Ajo shprehu shpresën që të rinjtë e të dy vendeve do të thellojnë njohjen e njëri-tjetrit dhe do të konsolidojnë e do të trashëgojnë miqësinë ndërmjet dy popujve, në mënyrë që lidhjet mes dy vendeve të zhvillohen në mënyrë të thellë dhe të qëndrueshme. Ambasada kineze do të krijojë pandërprerë më shumë mundësi dhe do të ndërtojë platforma më të gjera për të nxitur shkëmbimet mes brezit të ri të të dy vendeve.

Ambasadorja Jiang Yu vuri në dukje gjithashtu se arsimi është një prej mënyrave më të mira për thellimin e njohjes së ndërsjellë dhe një element i rëndësishëm për të lidhur të rinjtë e të dy vendeve. Ajo tha se bashkëpunimi arsimor Kinë-Shqipëri është shtuar dhe një numër institucionesh të larta arsimore kanë vendosur lidhje dhe kanë nisur programe bashkëpunimi me njëri-tjetrin. Në këtë kontekst, institucionet e arsimit të lartë të të dy vendeve duhet të intensifikojnë shkëmbimet, të mësojnë nga njëri-tjetrin dhe të zhvillojnë bashkëpunim në fusha të tilla si shkëmbimet e studentëve, njohja e ndërsjellë e diplomave, vizitat akademike dhe zhvillimi i kërkimeve të përbashkëta shkencore.

Rektori i Kolegjit Universitar "Luarasi", prof. dr. Ethem Ruka, paraqiti historinë, organizimin dhe planifikimin e zhvillimit të Kolegjit. Ai nënvizoi që Kina nuk është vetëm një vend mik që ka një histori të gjatë marrëdhëniesh me Shqipërinë, por gjithashtu një vend i fuqishëm në fushën e arsimit. Sipas tij, ka një potencial të madh për të zhvilluar bashkëpunim arsimor mes dy vendeve. Rektori Ruka shprehu dëshirën edhe për vendosjen e marrëdhënieve me institucionet arsimore të Kinës dhe zhvillimin e bashkëpunimit me ta.

Ambasadorja kineze i dhuroi gjithashtu librarisë së Kolegjit Universitar "Luarasi" mbi 50 tituj librash, që mbulojnë historinë, kulturën, filozofinë, artin, ekonominë dhe politikën e Kinës.

Kolegji Universitar "Luarasi" është krijuar në vitin 2003 dhe është një prej insitucioneve private arsimore në Shqipëri, i njohur veçanërisht për degën e drejtësisë.

Vizita e ambasadores Jiang Yu në këtë kolegj u njoftua edhe nga televizioni "News 24". (Wang Xianya)

Mrekulli
Lajmet Kryesore