2018-10-19 11:49:18 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Departamenti amerikan i Thesarit nxori më 10 tetor një rregullore të përkohshme mbi projektin pilot të "Aktit të modernizimit të rishikimit të rrezikut të investimeve të huaja", i cili zgjeron fushën e shqyrtimit dhe vendos kërkesa për raportimin e detyrueshëm në 27 fusha. Besohet gjerësisht se rregullorja e re është më e rreptë sesa pritej dhe ka shqetësime se ajo do të shtojë vështirësitë dhe pengesat për investimin e kompanive nga vende të ndryshme, duke përfshirë kompanitë kineze.
Duke komentuar për këtë të enjten në Pekin, zëdhënësi i Ministrisë kineze të Tregtisë Gao Feng shprehu shpresën se ShBA-ja nuk do të abuzojë me "sigurinë kombëtare". Gao Feng tha gjithashtu se fërkimet tregtare të provokuara nga ShBA-ja kanë shkaktuar shkallë të ndryshme ndikimi mbi kompanitë kineze dhe ato amerikane. Sa u përket kompanive kineze, ndikimi i përgjithshëm është i kufizuar dhe rreziqet janë të kontrollueshme. Zëdhënësi i Ministrisë kineze të Tregtisë theksoi po ashtu se nga të dhënat e Kinës dhe Shteteve të Bashkuara në tre tremujorët e parë, produktet e të dy vendeve janë ende shumë përplotësuese. "Ne shpresojmë që Shtetet e Bashkuara të braktisin proteksionizmin tregtar dhe të krijojnë një mjedis tregtar të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm për ndërmarrjet e të dy vendeve, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme", u shpreh Gao. (Du)