Dronat përdoren për rindërtimin digjital të trashëgimive kulturore të shkatërruara në Lindjen e Mesme

2018-10-15 10:18:00 CRI Komenti juaj Printoni

Një kompani fillestare franceze po përdor dronat dhe teknologjinë 3D për rindërtimin digjital të vendeve të trashëgimisë kulturore të shkatërruara nga konflikti në Lindjen e Mesme.

"Iconem" përdor drones dhe aparatet fotografike digjitale për të fotografuar vendet e trashëgimisë kulturore të shkatërruara në Siri dhe Irak. Më pas ekspertët e teknologjisë së informacionit përdorin algoritme të krijuara posaçërisht, inteligjencë artificiale dhe superkompjutera për të përpunuar fotografitë, për rindërtimin 3D të vendeve.

Themeluesi i "Iconem" Yves Ubelmann thotë se këto rindërtime digjitale pritet të përdoren për të rindërtuar qytete të shkatërruara nga lufta si Alepo dhe Mosuli:

"Ky model 3D që po prodhojmë, do të ndihmojë në bërjen e hartës së përgjithshme dhe kadastrës së tokës të qytetit dhe të të gjitha analizave urbane që do t'u mundësojnë arkitektëve të vendosin se si do ta rindërtojmë qytetin, cilat monumente mund të mbajmë dhe cilat mund të restaurojmë e cilat strategji do të zbatojmë për rindërtimin e ardhshëm."

"Iconem" po bashkëpunon me Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s në projektin "Ringjallja e Shpirtit të Mosulit", për rindërtimin e këtij qyteti irakian të dëmtuar rëndë nga bombardimet.

Zëvendëspresidentja ekzekutive e fondacionit "Andrew W. Mellon", Mariet Westermann, thotë se është e prekur thellë pas shikimit të ekspozitës së rindërtimeve digjitale:

"Jam prekur vërtet, së pari kur pashë shkallën e madhe të shkatërrimit. Është shumë e rëndësishme të përqendrohemi aty, sepse edhe njerëzit që i kanë vizituar këto vende më parë nuk mund të shkojnë aty tani. Dhe të shikosh në mënyrë të plotë kudo rreth teje atë për të cilën ke dëgjuar në lajme, është shumë prekëse dhe mbresëlënëse."

Edhe Jack Lang, presidenti i Institutit të Botës Arabe dhe ish-ministër i Kulturës i Francës, shprehu mirënjohje për rindërtimin e mundshëm të këtyre qyteteve të shkatërruara.

Mrekulli
Lajmet Kryesore