Rritet popullariteti i kafesë në Kinë

2018-09-26 15:50:38 CRI Komenti juaj Printoni

Kafeja po gjen gjithnjë e më shumë pasues në Kinë. Krahas popullaritetit të kësaj pijeje perëndimore, profesioni i banakierit po preferohet gjithnjë e më shumë nga të rinjtë kinezë.

Herët në mëngjes, znj. Liu, fillon punën e saj banakiere në një nga kafenetë e bulevardit të famshëm Qianmen të Pekinit. Për të garantuar cilësinë e produkteve, ajo duhet të bëjë një sërë testesh për kokrrat e kafesë që do të përdoren gjatë ditës para nisjes së biznesit. Znj. Liu, me një përvojë tetëvjeçare profesionale ka përjetuar ndryshimin e mendimeve për punën.

"Në vitin 2010, kur sapo nisa këtë profesion, nuk mund ta quaja veten banakiere sepse punoja me përpunimin e kafesë vetëm me ndihmën e makinerisë. Pas përfitimit të përvojës, kur nisa ta përpunoja kokrrën e kafesë me duart e mia, mendova se meritoja të quhesha banakiere", tha ajo.

Afro 180 vjetë më parë, në qytetin Guangzhou të Kinës Jugore u hap kafeneja e parë në Kinë. Megjithatë, dashamirësit e kafesë u shtuan dukshëm pas vitit 1978, kur Kina nisi Reformën dhe Hapjen ndaj botës së jashtme. Por, në atë kohë, shumë njerëz nuk ishin mësuar me këtë pije. Më vonë, krahas hyrjes në tregun e Kinës të gjigantëve të huaj si Starbucks, Costa Coffee etj., gjithnjë e më shumë kinezë janë ambientuar me shijet e "cappuccino"-s, "latte"-s etj. Në të njëjtën kohë, numri i kafeneve është rritur në mënyrë të vrullshme. Sipas të dhënave në vitin 2012, në Kinë kishte vetëm 30 mijë kafene. Por, deri në fund të këtij viti, kjo shifër pritet të kalojë 140 mijë.

Krahas zgjerimit të tregut, shumë kinezë po preferojnë gjithnjë e më pak kafenë e bërë nga makineria e ekspresit. Në një intervistë për Radion e Jashtme të Kinës, znj. Shen tha se preferon më shumë kafenë e përgatitur me dorë.

"Kafeja e përgatitur me dorë ka shije më të mirë. Para se ta provoj duhet të pi pak ujë për të hequr shijet apo aromat e tjera. Pija e kafesë është një përvojë dhe një kulturë më vete", tha znj. Shen.

Shtimi i kërkesës së konsumatorëve kërkon kritere më të ashpra për banakierët, të cilët duhet të zotërojnë njohuri fizike, kimike dhe standarde më të larta teknike. Konkursi i parë profesional i banakierëve është një ndër veprimtaritë kombëtare që synojnë krijimin e sistemit të vlerësimit të banakierëve.

Nga struktura e konsumit, kafeja e çastit zë 84% e tregut. Por, tani të rinjtë janë bërë grupi kryesor i konsumit, të cilët priten të sjellin ndryshim historik për tregun. (Zhang Yan)

Mrekulli
Lajmet Kryesore