Video/  Mynyr Koni: Kemi rritje të interesit për të mësuar gjuhën kineze në Shqipëri

2018-09-21 16:27:40 CRI Komenti juaj Printoni

Më 21 shtator, rektori i Universitetit të Tiranës Mynyr Koni tha në intervistën e posaçme me CRI-SHQIP se ka rritje të interesit për të mësuar gjuhën kineze në Shqipëri.

Nga 17 deri më 21 shtator, z.Koni zhvilloi një vizitë zyrtare në Kinë. Ndër të tjera ai realizoi një takim me drejtorin e përgjithshëm të selisë qendrore të Institutit "Konfuci", "Hanban", dhe mori pjesë në mbledhjen e bordit të Institutit "Konfuci" në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit, si edhe nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi mes Universitetit të Tiranës dhe Universitetit të Studimeve Ndërkombëtare të Pekinit.

Në një intervistë të posaçme për CRI-SHQIP të premten, z.Koni shprehu kënaqësinë për rezultatet e arritura nga Instituti "Konfuci" pranë Universitetit të Tiranës. Ndër të tjera ai theksoi:

"Me kënaqësi kemi konstatuar që, nga aktiviteti i Institutit "Konfuci", kemi rritje të interesit për të mësuar gjuhën kineze në Shqipëri. Nga viti në vit, si rezultat i punës së këtij instituti, kemi rritje të interesit të studentëve, po jo vetëm të tyre, por edhe të qytetarëve të Tiranës dhe të nxënësve të shkollave të mesme. Kjo ka bërë të mundur që viti 2017 të ketë pasur një rritje shumë të lartë, ndoshta edhe pak më të lartë se 75 %, sepse numrat janë duke u llogaritur edhe një herë për të dhënë një shifër të saktë. Unë i garantova kolegët e Universitetit të Gjuhëve të Huaja të Pekinit që sipas interesit që shprehën, universitetet shqiptare do të nënshkruajnë marrëveshje për mësimin e gjuhës kineze në institucionet e tyre, jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera: Durrës, Shkodër, Vlorë etj.".

Gjatë vizitës së tij në Pekin, z. Koni nënshkroi në emër të Universitetit të Tiranës një marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Studimeve Ndërkombëtare të Pekinit për shkëmbimin e stafeve akademike e të studentëve dhe për aktivitete të tjera të rëndësishme sipas interesit të të dy institucioneve. Sivjet në Universitetin e Studimeve Ndërkombëtare të Pekinit u hap dega e gjuhës shqipe. Z.Koni premtoi se pala shqiptare do të ofrojë një ndihmë të madhe në këtë drejtim:

"Risia dhe elementi i veçantë në këtë universitet ishte hapja e degës së gjuhës shqipe, e cila për ne është një gjë shumë e madhe. I garantuam rektorin dhe stafin që do të japim maksimumin e mbështetjes, që të zhvillohet ky program i gjuhës shqipe." (Çang Çuo/Li Huailiang/Artan)

Mrekulli
Lajmet Kryesore