Ministri: Kina do të forcojë më tej hapjen

2018-09-20 11:28:13 CRI Komenti juaj Printoni

Ministri i Tregtisë i Kinës Zhong Shan u shpreh ditët e fundit, se sipas përvojës historike, hapja do të sjellë përparimin, kurse mbyllja prapavajtjen. Kina do të mbajë premtimet e saj dhe po vë në zbatim çdo masë të hapjes të shpallur në këtë vit, theksoi ai, duke shtuar se në të ardhmen Kina do të hapet më tej.

Zhong Shan drejtoi të hënën në Pekin një seminar me përfaqësues të kompanive ndërkombëtare. Sipërmarrësit që morën pjesë në këtë seminar shprehën besimin e plotë në zhvillimin e ardhshëm të Kinës. Ata vlerësuan lart masat e hapjes të Kinës dhe vunë në dukje se do të zgjerojnë investimet dhe bashkëpunimin në Kinë.

Kreu i dikasterit kinez të tregtisë u shpreh se sivjet ekonomia kineze ka funksionuar në përgjithësi në mënyrë të qëndrueshme, duke ruajtur prirjen e zhvillimit dhe të përmirësimit. Kjo, sipas tij, është një përgjigje e fortë ndaj opinioneve negative për ekonominë kineze. Megjithëse përballet me vështirësi dhe sfida të ndryshme, struktura e ekonomisë kineze po përmirësohet në mënyrë të pandërprerë dhe Kina po ecën me hap të vendosur drejt zhvillimit me cilësi të lartë. "Ne kemi besim dhe aftësi për të siguruar realizimin e detyrave dhe objektivave tanë," theksoi ministri kinez i Tregtisë Zhong Shan.(Xu Guang/Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore