Kina do të shtojë tarifat ndaj mallrave amerikane me vlerë 60 miliardë dollarë

2018-09-19 11:28:26 CRI Komenti juaj Printoni

Sipas uebsajtit të Ministrisë së Financave të Kinës, pala kineze është e detyruar të shtojë tarifat doganore ndaj mallrave amerikane me vlerë prej afro 60 miliardë dollarësh amerikanë, për të mbrojtur tregtinë e lirë, sistemin shumëpalësh, si dhe të drejtat e interesat e veta të ligjshme.

Veprimet arbitrare të palës amerikane kanë shkaktuar përshkallëzimin e mëtejshëm të fërkimeve tregtare midis dy vendeve. Më 11 korrik 2018, qeveria amerikane shpalli shtimin e tarifave doganore prej 10 % ndaj mallrave të importuara nga Kina me vlerë prej afro 200 miliardë dollarësh amerikanë, dhe më 2 gusht kjo përqindje u shtua deri në 25%. Më 18 shtator, qeveria amerikane shpalli se që nga 24 shtatori 2018, do të rritë në 10 % tarifat ndaj produkteve të importuara nga Kina me vlerë prej afro 200 miliardë dollarësh amerikanë, ndërsa qysh nga 1 janari 2019, kjo përqindje do të ngrihet në 25%.

Sipas ligjeve e rregulloreve përkatëse kineze, si dhe parimeve themelore të ligjit ndërkombëtar, Këshilli i Shtetit i Kinës vendosi të shtojë tarifat në 5% ose 10% ndaj 5207 kategorive të mallrave të prodhuara në ShBA, me vlerë prej afro 60 miliardë dollarësh amerikanë. Kjo masë do të zbatohet qysh nga mesdita e 24 shtatorit. Nëse pala amerikane do të ngulë këmbë për të ngritur më tej përqindjen e tarifave doganore, pala kineze do të bëjë kundërpërgjigjen përkatëse.

Pala kineze theksoi përsëri se marrja e masave të sipërpërmendura synon frenimin e përshkallëzimit të fërkimeve tregtare dhe është një masë e detyrueshme reagimi ndaj unilateralizmit dhe proteksionizmit tregtar nga pala amerikane. Pekini shpreson se Uashingtoni do të ndalojë fërkimet tregtare dhe të dyja palët do të zhvillojnë një dialog të barabartë, të sinqertë dhe pragmatik, për të mbrojtur bashkërisht gjendjen e përgjithshme të marrëdhënieve tregtare dypalëshe me përfitime të përbashkëta, parimet e tregtisë liberale, sistemin e tregtisë shumëpalëshe, si edhe lulëzimin e zhvillimin e përbashkët të ekonomisë botërore. (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore