Si shihet Kina nga një lartësi 10 mijë metra?

2018-09-17 21:04:41 CRI Komenti juaj Printoni

"Kanë kaluar mbi 20 vjet që jam larguar nga puna në Kinë. Më duket sikur e shikoj Kinën nga një lartësi 10 mijë metra, që do të thotë se ofroj një këndvështrim ndërkombëtar," tha Pieter Bottlier, profesori i Universitetit Johns Hopkins, që ishte përfaqësuesi i parë i Bankës Botërore në Kinë. Të dielën ai mori pjesë në Pekin në seminarin tematik pranë Forumit të Nivelit të Lartë për Zhvillimin e Kinës, ku afro 800 mysafirë kinezë dhe të huaj të qarqeve afariste, akademike dhe qeveritare dhanë mendimet e tyre për reformën e Kinës në epokën e re.

Në momentin kur Kina ka kaluar një rrugë dyzetvjeçare të Reformës e Hapjes dhe ndodhet përpara prirjes së deglobalizimit e të proteksionizmit dhe në një mjedis ndërkombëtar të pasigurt dhe jo të qëndrueshëm, një këndvështrim i tillë i profesorit Bottlier për Kinën është shumë i domosdoshëm.

Pieter Bottlier, profesori i Universitetit Johns Hopkins

Duke e vështruar Kinën nga "lartësia 10 mijë metra", çfarë kanë parë vetë Kina dhe bota?

Në radhë të parë, shihen rezultatet dhe vetëbesimi, të cilat janë arsyeja që Kina është e bindur në zhvillimin e saj të mirë. Gjatë 40 vjetëve të kaluar, Kina e ka përqafuar aktivisht botën dhe një gjë e tillë ka qenë frytdhënëse. Lidhur me këtë, ish-presidenti i Bankës Botërore Robert Zoellick, që mori pjesë në këtë seminar, tha: "Pashë sukseset domethënëse të Kinës. Besoj se edhe të pranishmit janë krenarë për sukseset historike të Kinës në uljen e varfërisë. Shpreh admirim për përpjekjet dhe vendosmërinë e popullit kinez."

Gjatë 40 vjetëve, nëpërmjet Reformës e Hapjes, mbi 700 milionë kinezë u shkëputën nga varfëria absolute, shifër kjo që zë mbi 70 % të numrit të përgjithshëm të atyre që kanë dalë nga varfëria në botë gjatë kësaj periudhe. Jetëgjatësia mesatare e kinezëve u ngrit nga 67.8 vjeç në vitin 1981 në 76.7 vjeç në vitin 2017. Kina i kapërceu pragjet e të ardhurave të ulëta të nivelit të mesëm dhe të të ardhurave të larta të nivelit të mesëm, të përcaktuara nga Banka Botërore. Në vitin 2017 vëllimi mesatar i PBB-së ishte afro 9 mijë dollarë, shifër kjo që është më e lartë se mesatarja e vendeve me të ardhura të nivelit të mesëm.

 

Robert Zoellick, ish-presidenti i Bankës Botërore

Nga ana tjetër, shihen edhe disniveli dhe sfida, të cilat janë gjithashtu pikënisja e re e Kinës për thellimin e mëtejshëm të reformës dhe për zgjerimin e hapjes ndaj botës. Disniveli midis Kinës dhe botës mishërohet kryesisht në nivelin jo të lartë të zhvillimit. P. sh., Kina radhitet vetëm në vendin e 70-të ndër mbi 190 vende e rajone të botës për PBB-në për frymë dhe deri në fund të vitit të kaluar, mbi 30 milionë veta duhet të shkëputen nga varfëria. Prandaj Kina duhet të planifikojë rrugën e saj për zhvillimin më cilësor ekonomik dhe shoqëror.

Sipas Zoellick-ut, për reformën e mëtejshme, Kina do të ndodhet përpara tre sfidave kryesore, si realizimi i rritjes së vazhdueshme dhe gjithëpërfshirëse, trajtimi i ndikimeve të Kinës ndaj botës etj. Ish-guvernatori i Bankës Botërore përmendi në veçanti kontributin e ndërmarrjeve private për zhvillimin ekonomik të Kinës. Ekonomia private ka kontribuuar për 70 % të rritjes ekonomike të Kinës. Por vitet e fundit, me shtimin e presionit të rënies ekonomike dhe me ndërlikimin e situatës botërore, edhe ekonomia private kineze ndodhet përpara dilemave. Megjithatë, ajo përbën prapëseprapë gjysmën e ekonomisë kineze. Deri në fund të vitit të kaluar, numri i ndërmarrjeve private në Kinë i kaloi 27 milionët dhe numri i biznesmenëve të regjistruar arriti mbi 65 milionë, me kapitale të regjistruara prej më shumë se 165 trilionë juanësh. Ekonomia private zë mbi 60 % të PBB-së të Kinës. Ashtu si ekonomitë me pronësi të tjera në Kinë, edhe ekonomia private do të ngrejë cilësinë e zhvillimit nëpërmjet masave të reja të reformës nga qeveria dhe do të ketë një zhvillim më të fortë gjatë përballimit të sfidave.

Më në fund, shihen edhe potenciali dhe përfitimet e përbashkëta, të cilat janë motori i zhvillimit të përbashkët të Kinës dhe të botës. Para mbi 40 vjetëve, ekonomia kineze zinte vetëm 1.8% të vëllimit të përgjithshëm të ekonomisë botërore, kurse vitin e kaluar 15 %. Shumë vjet me radhë, kontributi i Kinës për rritjen e ekonomisë botërore e ka kaluar 30%. Si vendi nr.1 eksportues dhe nr.2 importues, Kina ka ndarë rezultatet dhe mundësitë e zhvillimit të saj ekonomik me vendet e tjera.

Jochen Goller, Kryeekzekutivi për rajonin pankinez i kompanisë gjermane BMW

Kryeekzekutivi për rajonin pankinez i kompanisë gjermane BMW, Jochen Goller, tha se për prodhuesit e automjeteve të mbarë botës, përfshirë grupin BMW, Kina është një treg rritjeje me rëndësi vendimtare. Njoftohet se në vitin 2017, BMW-ja shiti në Kinë 560 mijë automjete, shifër kjo që e kalon atë të shitjeve në ShBA dhe Gjermani të marra së bashku, që zënë përkatësisht vendin e dytë dhe atë të tretë. Goller-i vuri në dukje se Kina është bërë motori më i rëndësishëm i novacionit në botë. Sivjet BMW-ja do të krijojë edhe dy baza të tjera kërkimi, dhe duke u nisur nga Kina, do të kërkojë dhe do të zhvillojë produkte për mbarë tregun botëror.

Nga një sondazh i fundit me mbi 430 kompanitë amerikane në Kinë del se pavarësisht nga efekti negativ i sjellë nga fërkimet tregtare midis Kinës dhe ShBA-së, dy të tretat e kompanive të përfshira në sondazh nuk e kanë shpërngulur prodhimin nga Kina ata nuk do ta bëjnë këtë as edhe në të ardhmen.

Ish-kryeekonomisti i Bankës Botërore Justin Yifu Lin është i mendimit se Kina duhet të marrë përsipër më shumë përgjegjësi për sistemin e zhvillimit global, që t'i ndihmojë vendet e tjera në zhvillim të realizojnë rritjen, shkëputjen nga varfëria dhe përfitimet e përbashkëta. Sipas tij, gjatë procesit të ristrukturimit të ekonomisë, nga bujqësia në manifakturë dhe deri në ekonominë e shërbimeve, Kina do të hapë 85 milionë vende pune për vendet e tjera në zhvillim, që të nxitë përmirësimin e manifakturës në këto vende.

Justin Yifu Lin, ish-kryeekonomisti i Bankës Botërore 

Po të shihet Kina nga 10 mijë metra lart, nuk mund të shmangen paqartësitë dhe gabimet, por të gjitha këto mund të përmirësohen nëpërmjet shkëmbimeve dhe ndihmës së sinqertë. Nxitja e vazhdueshme e Reformës dhe e Hapjes ndaj botës është konsensusi i shtresave të ndryshme të shoqërisë kineze. Për Kinën, është në plan të parë që të bëjë si duhet punën e vet dhe kështu ajo do të bëhet më e mrekullueshme e më e hapur dhe bota do të shfrytëzojë mundësitë që ofron hapja e Kinës. (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore