Rusia vështron drejt lindjes

2018-09-11 17:55:25 CRI Komenti juaj Printoni
Forumi i 4-t Ekonomik Lindor zhvillohet nga 11 deri më 13 shtator në Vladivostok të Rusisë, në Lindjen e Largët, ku marrin pjesë presidenti kinez Xi Jinping, shumë udhëheqës shtetërorë e qeveritarë të vendeve të Azisë verilindore dhe delegacione të ardhur nga mbi 60 vende.

Forumi Ekonomik Lindor u propozua në vitin 2015 nga presidenti rus Vladimir Putin, i cili është një nga vendimet e Rusisë për të parë drejt lindjes, në një kohë kur marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin nisën të përkeqësoheshin. Në fillim, politika e të vështruarit drejt lindjes e Rusisë konsiderohej nga Perëndimi si "rregullim i përkohshëm i politikave" për zbutjen e presionit të sanksioneve. Vitet e fundit, me përshpejtimin e hapave të Rusisë drejt lindjes, kjo politikë po bëhet një strategji shtetërore e Rusisë.

Duke parë drejt lindjes, Rusia ka patur përfitime të mëdha nga bashkëpunimi kino-rus. Tani Kina është partnerja e parë e madhe tregtare dhe vendi i parë i investimeve të bëra në rajonin e Lindjes së Largët të Rusisë, ku vëllimi i përgjithshëm i investimeve kineze arrin në rreth 4 miliardë dollarë amerikanë.

Politika e vështrimit drejt lindjes ka zgjeruar hapësirën e bashkëpunimit rajonal midis Rusisë dhe Azisë verilindore. Forumi Ekonomik Lindor është zhvilluar me sukses për 3 herë me radhë duke ushtruar ndikimin aktiv në Azinë verilindore. Gjatë forumit të vitit të kaluar, u nënshkruan marrëveshje me një vlerë prej 2.5 trilionë rubla ruse, shifër kjo që këtë vit ka shpresë të tejkalojë 3 trilionë rubla.

Krahas këtyre, politika e vështrimit drejt lindjes i ka sjellë Rusisë shanse zhvillimi nga ekonomia e Azi-Paqësorit. Si një nga rajonet me rritjen më të shpejtë ekonomike në botë, rajoni i Azi-Paqësorit është një treg i madh i konsumit dhe burim i investimeve për Rusinë. Zhvillimi i Lindjes së Largët jo vetëm përputhet me kërkesat e zhvillimit ekonomik e shoqëror vendës, por edhe ka për qëllim që ta nxitë Rusinë të hipë në "trenin e shpejtë" të zhvillimit të Azi-Paqësorit. Sipas statistikave të doganës ruse, përqindja e vëllimit tregtar midis Rusisë e vendeve anëtare të APEK-ut në tregtinë e jashtme ruse, u ngrit në 31% në vitin 2017, nga 20% që ishte para 10 vjetëve.

Duhet vënë në dukje se Europa është ende partnere e rëndësishme tregtare e Rusisë, politika e vështrimit drejt lindjes nuk do të thotë se Rusia do të heqë dorë nga bashkëpunimi me Europën. (Fani/Haris)

Mrekulli
Lajmet Kryesore