Kryeministri kinez takohet me homologun e tij malajzian

2018-08-20 21:08:00 CRI Komenti juaj Printoni

Kryeministri kinez Li Keqiang zhvilloi bisedime të hënën paradite me homologun e tij malajzian Mahathir Mohamad, i cili gjendet për një vizitë zyrtare në Pekin.

Li Keqiang-u tha se zhvillimi i marrëdhënieve dypalëshe kino-malajziane ndodhet në një pikënisje të re. Kina do t'i përmbahet politikës së marrëdhënieve miqësore me Malajzinë. Pala kineze është e gatshme të punojë së bashku me palën malajziane për të ecur në rrugën e fqinjësisë së mirë e të miqësisë dhe për të promovuar zhvillimin afatgjatë e të qëndrueshëm të partneritetit të gjithanshëm strategjik Kinë-Malajzi.

Në një konferëncë shtypi pas takimit, Li Keqiang-u tha:

"Kemi rënë dakord për t'i çuar miqësinë dhe fqinjësinë e mirë midis Kinës dhe Malajzisë në një lartësi e pikënisje të re. Ne duhet të zgjerojmë fushat e reja të zhvillimit dhe të krijojmë një model të ri të bashkëpunimit pragmatik Kinë-Malajzi. Në fushën e inovacionit teknologjik, Kina dhe Malajzia do të krijojnë hapësira të reja bashkëpunimi."

Kreu i qeverisë kineze vuri në dukje se Kina është e gatshme të ndërthurë nismën "Një brez, një rrugë" me strategjinë zhvillimore të Malajzisë, të nxisë bashkëpunimin dypalësh në Parkun Industrial Kinë-Malajzi, të forcojë bashkëpunimin në fushën e investimeve, atë ekonomike-tregtare, të bujqësisë e peshkimit, si edhe të transportit e të ndërtimit infrastrukturor. Kina i nxit kompanitë e fuqishme dhe me besueshmëri të të dyja vendeve të zgjerojnë investimet e ndërsjella. Të dy palët duhet të sigurojnë një mjedis të qëndrueshëm biznesi, tha z. Li. Ai shtoi se Kina është e gatshme të zgjerojë bashkëpunimin e mëtejshëm me Malajzinë në fusha të tilla si risitë teknologjike, automjetet, financat dhe tregtia elektronike.

Kryeministri malajzian Mahathir Mohamad vuri në dukje nga ana e tij se qeveria e re malajziane do të vazhdojë të ndjekë politikën e miqësisë me Kinën. Pala malajziane shpreson që, nëpërmjet kësaj vizite, marrëdhëniet dypalëshe do të konsolidohen e thellohen më tej, duke realizuar përfitime të ndërsjella dhe rezultate të favorshme në fusha të ndryshme dhe duke nxitur ngritjen e nivelit të marrëdhënieve malajziano-kineze. Mahathir-i tha po ashtu se Malajzia i mirëpret investimet nga kompanitë kineze dhe shpreson që të dyja palët do të zgjerojnë bashkëpunimin në fusha të tilla si turizmi dhe kërkimet e inovacioni. Malajzia përkrah në mënyrë aktive nismën "Një brez, një rrugë", e cila nxit rritjen e ndërlidhshmërisë e të shkëmbimeve tregtare midis vendeve të ndryshme dhe forcimin e lidhjeve midis Lindjes dhe Perëndimit, vuri në dukje numri një i qeverisë malajziane.

Mrekulli
Lajmet Kryesore