Kina me potencial të madh në robotikë

2018-08-17 15:54:01 CRI Komenti juaj Printoni

Konferenca Botërore e Robotëve 2018, që po zhvillohet në Pekin, ka tërhequr mbi 300 specialistë të nivelit më të lartë si dhe sipërmarrës të qarqeve botërore të robotëve, nga Kina, Rusia, ShBA-ja, Gjermania, Japonia, Kanadaja, Koreja e Jugut, Izraeli etj. Pjesëmarrësit janë të mendimit se industria e robotëve ka potencial të madh zhvillimi në Kinë dhe palët duhet të bashkëpunojnë për krijimin e zinxhirit ekologjik global të industrisë së robotëve.

"Cobot" është roboti që mund të punojë dhe ndërveprojë bashkë me njeriun. Ndërmarrja e njohur daneze "Universal Robots" shfaqi në konferencë rezultatin e saj të fundit në teknologjinë e "cobotit". Sipas zonjës Ren Yi, menaxheres së marketingut të degës së Shangait të kompanisë "Universal Robots", kur kompania e saj hyri në tregun kinez para 5 vjetëve, "coboti" ishte një koncept dhe teknologji krejtësisht e re, por sot kjo kjo gjë ka ndryshuar rrënjësisht.

"Së pari, nga viti i kaluar deri këtë vit, tregu kinez i 'cobotit' pati një rritje prej 140%, një shifër e jashtëzakonshme, sepse shumë rrallë dega industriale mund të realizojë një zhvillim me shpejtësi të tillë. Së dyti, gjithnjë e më shumë ndërmarrje e kapitale kineze dhe të huaja po hynë në këtë degë dhe po prodhojnë shumë produkte të përafërta. Nuk jemi kundër konkurrencës, përkundrazi, konkurrenca sjell gjallërinë dhe pjekurinë e tregut."

Nga të dhënat del se prej vitit 2013, përmasa e industrisë së robotëve në Kinë ka pasur rritje mesatare prej 30% në vit dhe në vitin 2017 kapi shifrën 7 miliardë dollarë amerikanë. Vëllimi i shitjes së robotëve industrialë arriti në 140 mijë, duke e bërë Kinën tregun numër 1 të robotëve në botë për 5 vjet me radhë, ndërsa fushat e përfshira u zgjeruan nga automjeti, elektronika, paketimi i ushqimeve, prodhimi i verës, porcelani etj.

Krahas kompanisë "Universal Robots", shanset nga tregu kolosal kinez kanë tërhequr gjithnjë e më shumë ndërmarrje të njohura ndërkombëtare të robotëve dhe të pjesëve të këmbimit të investojnë në Kinë. Në të njëjtën kohë, edhe ndërmarrjet kineze të robotëve po shpejtojnë hapat e ndërkombëtarizimit, duke vendosur qendra të kërkim-zhvillimit në vende të tjera e madje hapur fabrika jashtë vendit.

Zv.ministri i Industrisë dhe i Teknoglojisë së Informacionit Xin Guobin tha se në të ardhmen Kina do të vazhdojë të ndjekë konceptin e hapjes dhe të bashkëpunimit, për të krijuar një ekosferë globale të robotëve me fitime të përbashkëta të vendeve të ndryshme.

"Duke u nisur nga parimi i konsultimeve dhe krijimit e përdorimit të përbashkët dhe duke shfrytëzuar eprësitë e vendeve të ndryshme, do të projektojmë bashkërisht strategjinë e përgjithshme, në nxitjen e shkëmbimeve ndërkombëtare dhe bashkëpunimit në kërkimin e teknologjive, hartimin e standardeve, komercializimin e rezultateve, testimin e certifikimin, përgatitjen e talenteve, pranimin e ndërsjellë të licensave, etj." (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore