Kina prezanton sondën hënore "Chang'Ë 4"

2018-08-16 17:11:21 CRI Komenti juaj Printoni

Kina prezantoi të mërkurën dizajnin e pamjes se jashtme të mjetit zbritës hënor dhe të sondës hënore "Chang'Ë 4".

Gjatë 60 vjetëve të fundit, njeriu ka lëshuar mbi njëqind sonda hënore, por asnjë prej tyre nuk ka zbritur në anën e prapme (Anën e Errët) të Hënës.

Kompleksi i mjetit zbritës dhe i sondës hënore "Chang'Ë 4" do të realizojë për herë të parë një zbritje të butë dhe vrojtimin nga njeriu në anën e prapme të Hënës.

Ana e errët e Hënës nuk mund të shihet nga Toka dhe njeriu ka shumë hamendje dhe përfytyrime për të, të pasqyruara në novela dhe filma fantastiko-shkencorë.

Deri më sot, asnjë sondë hënore nuk ka arritur të ulet në anën e prapme të Hënës. Të gjitha informacionet e tanishme për këtë pjesë të Hënës u morën nga hulumtimet telekomanduese. Prandaj realizimi i zbritjes së butë në anën e prapme të Hënës do të hapë një faqen e re të hulumtimit të Hënës nga njeriu.

Lidhur me këtë, kryeprojektuesi i Projektit Kinez mbi Kërkimet Hënore, njëherësh anëtari i Akademisë së Inxhinierisë të Kinës, Wu Weiren tha:

"Njeriu kërkon gjithnjë të mësojë mbi të panjohurën dhe të eksplorojë vende të panjohura më parë. Kjo është gjithashtu një forcë e paepur e risisë dhe e zhvillimit tonë. Tani ne kinezët po përpiqemi të hedhim këtë hap, të hulumtojmë në terren. Në anën e prapme ka shumë të panjohura për ne njerëzit, si në reliev e topografi ashtu edhe në ndonjë material të ri. Duhet të shkojmë në terren për të parë nga afër. Kjo do të jetë në dobi të zhvillimit njerëzor."

Në maj të këtij viti, Kina lëshoi një satelit transmetues, si urë lidhëse për sondën "Chang'Ë 4", për shkëmbimin e informacioneve midis Tokës dhe Hënës. Ndërsa kompleksi i mjetit zbritës dhe i sondës hënore "Chang'Ë 4" do të lëshohet në dhjetor të këtij viti. Me këtë vepër, Kina do të realizojë kapërcimin dhe novacionin në inxhinieri dhe në shkencën hapësinore.

Wu Weiren bëri të ditur: "Të gjithë pjesëmarrësit në këtë vepër po punojnë bashkërisht. Deri tani, të gjitha pjesët e këmbimit, nënsistemet etj., kanë kaluar fazën e provës. Aktualisht po testojmë e shqyrtojmë sistemin e madh kompleks, në përgatitje për daljen nga fabrika. Muajin tjetër, kompleksi do të transportohet në Qendrën e Lëshimit Satelitor Xichang, ku do të hyjë në fazën e zbatimit të lëshimit. Po bëjmë parapërgatitje të plota."

Po të mërkurën nisi edhe aktiviteti i mbledhjes së emrave për sondën hënore kineze të brezit të ri në mbarë globin. Rezultati i aktivitetit do të publikohet në dhjetëditëshin e parë të tetorit.

Mrekulli
Lajmet Kryesore