60 % e PBB-së, "vija e kuqe" e ShBA-së për rivalët

2018-08-10 21:00:27 CRI Komenti juaj Printoni

Këtë javë, pasi ShBA-ja dhe Kina publikuan masat e reja tarifore për 16 miliardë dollarë mallra që importojnë nga njëra tjetra, raundi i parë i luftës tregtare midis dy ekonomive më të mëdha të botës çoi me zbatimin e tarifave shtesë për mallrat e importit me një vlerë të përgjithshme 100 miliardë dollarë amerikanë. Gjatë këtij raundi, ShBA-ja dhe Kina shpallën secila ngritjen e tarifave shtesë për 50 miliardë dollarë mallra që importojnë nga njëra-tjetra.

Analistët vunë në dukje se politikat agresive doganore të ShBA-së duket sikur kanë si qëllim zgjidhjen e "pabarazisë tregtare", por faktikisht synojnë në një perspektivë afatgjatë frenimin e rivalit të ardhshëm, duke ruajtur epërsinë e dollarit, duke drejtuar përcaktimin e rregullave ndërkombëtare dhe duke siguruar përfitime maksimale ekonomike.

Në shekullin e kaluar, ShBA-ja është shqetësuar dy herë, kur PBB-ja e ish-Bashkimit Sovjetik dhe e Japonisë e kaluan përkatësisht 60 % të PBB-së së ShBA-së. Për të mposhtur konkurrentët e fuqishëm, ShBA-ja mori shumë masa frenuese dhe, në fund, ish-Bashkimi Sovjetik u shpërbë dhe ekonomia japoneze pësoi "20 vjet humbje" të gjallërisë së rritjes.

Në vitin 2014, PBB-ja e Kinës zuri 60% të asaj të ShBA-së. Që nga ajo kohë, dajë Sami mendon se ekonomia kineze mund ta tejkalojë në të ardhmen e afërt ekonominë amerikane. Kështu që frenimi që mundohet t'i bëjë tani ShBA-ja Kinës është i pashmangshëm.

Por, Kina e tanishme nuk është Japonia e atëhershme.

Së pari, Kina ka një treg të brendshëm konsumi të madh dhe shumë platforma të reja bashkëpunimi ndërkombëtar. Ndërkohë, Japonia e asaj kohe varej shumë nga tregu europian dhe ai amerikan.

Së dyti, Kina ka një sistem të qëndrueshëm politik dhe strategji zhvillimi afatgjatë. Ndërsa luhatjet e shpeshta politike në Japoni e dobësuan aftësinë e vendit në përballimin e presioneve amerikane.

Së treti, Kina ka sistemin më të madh dhe më të plotë industrial në botë dhe është bërë një nyjë kyçe e zinxhirit global të prodhimit dhe furnizimit. Prandaj, politikat agresive doganore të ShBA-së do të kenë ndikim të rëndë edhe mbi zhvillimin e vetë ekonomisë amerikane.

Prandaj, nëse Kina fokusohet te puna e vet me këmbëngulje, ekonomia e vendit patjetër do të vazhdojë të ruajë rritjen, pavarësisht pengesave të shumta.(Zhang Yan)

Mrekulli
Lajmet Kryesore