Medvedevi: Zgjerimi i NATO-s drejt Lindjes, kërcënim e sfidë ndaj Rusisë

2018-08-08 11:03:45 CRI Komenti juaj Printoni

Kryeministri rus Dmitri Medvedev ka theksuar se zgjerimi i NATO-s drejt Lindjes është një kërcënim dhe sfidë ndaj Rusisë.

Në një intervistë të botuar të martën nga gazeta ruse "Kommersant", Medvedevi tha se Bashkimi Sovjetik dhe Traktati i Varshavës tashmë janë shpërbërë dhe konfrontimi ndërmjet dy aleancave të mëdha ushtarake është zhdukur prej kohësh. Sipas tij, NATO-ja madje as nuk ka nevojë të vazhdojë të ekzistojë, por ajo po zgjerohet vazhdimisht drejt Lindjes. Rusia nuk do të jetë indiferente për diçka të tillë, që përbën kërcënim e sfidë ndaj saj, u shpreh Medvedevi.

Kreu i qeverisë ruse vuri në dukje gjithashtu se NATO-ja gjithmonë e ka konsideruar Rusinë si një kundërshtare potenciale. Forcat ushtarake të NATO-s, duke përfshirë edhe forcat bërthamore, gjithmonë kanë pasur si objektiv Rusinë.

Duke folur për vullnetin e NATO-s për të përfshirë në gjirin e saj Gjeorgjinë, Medvedevi tha se në Gjeorgji ende ka konflikte territoriale dhe që, në rast se ky vend integrohet në NATO, kjo mund të shkaktojë konflikte serioze. "Shpresoj se NATO-ja do ta trajtojë këtë çështje në mënyrë më të arsyeshme," u shpreh Medvedevi.

Ai tha gjithashtu se dera e dialogut midis Rusisë e Evropës nuk është mbyllur dhe se, nëse Evropa dëshiron të përmirësojë dhe të rivendosë marrëdhëniet dypalëshe, Rusia do të përgjigjet pozitivisht.(Zhan Dian)

Mrekulli
Lajmet Kryesore