Eurobarometër 2018, përmirësim i situatës ekonomike dhe punësimit në Shqipëri

2018-08-08 10:08:11 CRI Komenti juaj Printoni

 

Sondazhi Eurobarometër 2018 publikuar nga Komisioni Europian, tregon se mbi 50% e shqiptarëve vlerësojnë se situata financiare e familjeve të tyre dhe punësimi janë përmirësuar krahasuar me katër vite më parë.

Sondazhi bazohet në intervista të drejtpërdrejta me qytetarët. Në Shqipëri janë realizuar 1048 të tilla, thuhet në një njoftim për shtyp të Ministrisë së Financave.

Pyetjes se si e vlerësojnë situatën financiare të familjes së tyre, 62% e të intervistuarve në Shqipëri e vlerësojnë "pozitivisht".

Krahasuar me vitin 2014, kur është realizuar për herë të parë ky sondazh në Shqipëri, përqindja e atyre që vlerësojnë se gjendja e financiare e familjes së tyre është "pozitive" është rritur nga 52.9% në 61.9% .

Sa i takon situatës personale të punësimit, 57% e të intervistuarve e vlerësojnë "pozitive".

Perceptimi për gjendjen ekonomike ka ardhur gradualisht në përmirësim përgjatë kohës që është aplikuar Barometri në Shqipëri.

Pritshmëritë për 12 muajt e ardhshëm mbeten pozitive për situatën ekonomike dhe punësimin, në mbi 50% të të intervistuarve. Konkretisht, 50% e të intervistuarve në Shqipëri vlerësojnë se punësimi do të përmirësohet përgjatë vitit të ardhshëm. Në Bashkimin Europian, kjo shifër është vetëm 27%. (ATSH)

Mrekulli
Lajmet Kryesore