Ambasadorja kineze Jiang Yu takon këshilltarin e presidentit të Shqipërisë Genc Muçaj

2018-08-07 16:43:28 CRI Komenti juaj Printoni

Ambasadorja e Kinës në Shqipëri Jiang Yu u takua të hënën me këshilltarin për marrëdhënie ndërkombëtare të presidentit të Shqipërisë Genc Muçaj, për të shkëmbyer mendime për çështje të marrëdhënieve dypalëshe dhe ato me interes të përbashkët.

Ambasadorja Jiang e njohu këshilltarin Muçaj me gjendjen e zhvillimit të marrëdhënieve kino-europiane. Ajo u shpreh se sivjet është 15-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve të partneritetit të gjithanshëm strategjik Kinë-BE. Të dy palët kanë pasur shkëmbime të ngushta të nivelit të lartë dhe komunikim të vazhdueshëm në çdo nivel dhe në çdo fushë. Muajin e kaluar, kryeministri i Kinës Li Keqiang, kryetari i Këshillit Europian Donald Tusk dhe kryetari i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker drejtuan së bashku mbledhjen e 20-të të liderëve Kinë-BE. Të dyja palët ishin të mendimit se Kina dhe BE-ja, si dy forca dhe ekonomi kryesore të botës, kanë përgjegjësi të bëjnë përpjekje për të ruajtur rendin ndërkombëtar të bazuar te rregullat, për të përkrahur multilateralizmin e tregtinë e lirë dhe për të nxitur zhvillimin paqësor e të qëndrueshëm të botës.

Ambasadorja Jiang vuri në dukje se Shqipëria, si vend kandidat për në BE, po shton përpjekjet për përshpejtimin e përfshirjes në BE. Pala kineze sheh me kënaqësi përparimet që ka bërë Shqipëria në rrugën për anëtarësimin në BE. Kina e mbështet fort procesin e integrimit europian dhe dëshiron të shohë një Bashkim Europian më të bashkuar, më të qëndrueshëm dhe më të përparuar.

Lidhur me marrëdhëniet kino-shqiptare, ambasadorja Jiang tha në takimin me këshilltarin Muçaj se, që nga fillimi i këtij viti, marrëdhëniet kino-shqiptare janë zhvilluar në mënyrë të qëndrueshme. Një delegacion me deputetë nga disa parti të Parlamentit shqiptar ka vizituar me sukses Kinën dhe është mbajtur me sukses mbledhja e Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar të Bashkëpunimit Ekonomiko-Tregtar Kinë-Shqipëri në nivel ministrash. Bashkëpunimi kino-shqiptar në fushën e turizmit ka hyrë në një fazë të re. Deri në fillim të korrikut, mbi 8600 turistë kinezë kanë vizituar Shqipërinë, 48 % më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Të dyja palët kanë ruajtur shkëmbimet në fushat e kulturës, arsimit, shëndetësisë, shkëmbimeve rinore, instituteve të studimit të politikave, pushtetit vendor, medieve etj., dhe bashkëpunimi e shkëmbimet janë rritut vazhdimisht. Në fazën e re, Pekini dhe Tirana do të organizojnë veprimtari për të festuar 10-vjetorin e binjakëzimit mes tyre, kurse qeveria shqiptare dhe shumë kompani shqiptare do të marrin pjesë në edicionin e parë të Ekspozitës së Importit të Kinës në Shangai.

Përfaqësuesja e diplomacisë kineze në Shqipëri u shpreh gjithashtu se vitin e ardhshëm është 70-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kinës dhe Shqipërisë. Pala kineze dëshiron me këtë rast që të forcojë planifikimin e nivelit të lartë dhe të konsolidojë bazën politike të marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve, që së bashku me të gjitha qarqet në Shqipëri, të nxitë hyrjen e marrëdhënieve të bashkëpunimit miqësor kino-shqiptar në fazën e re.

Këshilltari për marrëdhënie ndërkombëtare i presidentit të Shqipërisë Genc Muçaj u shpreh nga ana e tij se miqësia mes popullit kinez dhe popullit shqiptar është e gjatë. Pala shqiptare e vlerëson lart zhvillimin e marrëdhënieve me Kinën dhe është e gatshme që, së bashku me palën kineze, të trashëgojë dhe të çojë përpara miqësinë tradicionale dhe të thellojë e zgjerojë shkëmbimet dhe bashkëpunim konkret, për të sjellë më shumë përfitime për popujt e të dy vendeve, tha këshilltari Muçaj. (Fang Xiaoyu)

Mrekulli
Lajmet Kryesore