Video/  Sichuan, vendi magjik i 1400 lumenjve

2018-08-03 18:11:11 CRI Komenti juaj Printoni

Sichuan, njihet edhe si provinca e mijëra lumenjëve, ku ndodhen afërsisht 1400 lumenjë të cilët kalojnë nga Si Chuan. Chongqing-u,  është komuna më e madhe e Kinës dhe është pushtet vendor i varur drejtpërsëdrejti nga ai qëndrori. Ai ndodhet në jugperëndim të Kinës, në pjesën e sipërme të lumit Jance dhe në skajin lindor të pellgut të Sichuan-it. Chongqing-u ka një popullsi prej mbi 30 milionë banorë, 18 milionë prej të cilëve janë banorë të zonave urbane.

Chongqing-u, i pasur me kulturë e histori të lashtë, është një ndër qendrat më të rëndësishme ekonomike të Kinës. Kjo komunë ka tejet të zhvilluar industrinë e ndërtimit, pasi është një metropol në rritje, ku ndryshimet e bëra janë të mëdha dhe të jashtëzakonshme. Industria e prodhimit të makinave teknologjike, e makinave me energjj të re është një ndër sektorët që po njeh zhvillim të madh. Në Chongqing kryejnë aktivitetin e tyre një numër i madh fabrikash, duke përfshirë ato të sektorëve të prodhimit të elektronikeve etj. Duhet përmendur këtu se një në tre laptopë në botë prodhohen këtu në Chongqing.

Qarku Bishan, pjesë e komunës së Chongqing-ut, ndodhet në pjesën e sipërme të lumit Jance, në pjesën perëndimore të Chongqing-ut që është edhe zona metropolitane e tij. Bishan-i mbulon një sipërfaqe prej 915 kilometrash katrorë ku banojnë 730 000 banorë. Bishan-i është vendlindja e rrushit të cilësisë më të lartë në Kinën perëndimore.

Lagjet e reja me shtëpi private, të ndërtuara në zonat përreth lumit të rehabilituar, ruajnë arkitekturën e vjetër kineze dhe i kanë dhënë qytetit një frymëmarrje të re, duke e zgjeruar dhe zhvilluar me tej atë. Këto shtëpi kanë sjellë frymën e jetesës në një mjedis të përbashkët, pa gardhe ndarëse mes tyre, duke ndarë me fqinjin, në mënyrë të barabartë, vlerat unike të natyrës, hapësirat e shërbimet publike, si dhe përgjegjësinë më të madhe në komunitet, atë të mbrojtjes së mjedisit.

Qyteza e lashtë e Lizhuang-ut ndodhet në lindje të qytetit Yibin të provincës Sichuan në jugperëndim të Kinës. Lizhuang-u, i cili reflekton historinë kineze, kulturën tradicionale dhe shpirtin e kombit kinez, është mbi 1800 vjetë i vjetër, e përveç ndërtesave të reja, të ndërtuara sipas stilit të arkitekturës së lashtë kineze, në zemër të tij ndodhet pikërisht pjesa më e vjetër e qytetit, në të cilën ende jetojnë, brez pas brezi, familjet autoktone ku zhvillojnë gjithashtu bizneset e tyre. Një banor i qytezës së vjetër, i cili jeton dhe punon në një nga ndërtesat brenda portave të saj, na tregoi se si ai përpunon, prej 20 vjetësh, disa gurë të ndryshëm natyrore për t'i kthyer ata në bizhuteri të shumëllojshme guri, si varëse, vathë, byzylyk, unaza dhe statuja zbukuruese me simbolika tradicionale kineze.

Luzhou është një qytet i provincës Sichuan. Ai ka një popullsi prej 5.09 milionë banorë, ndërsa në qendër të tij, në një hapësirë prej 120 kilo metra katrorë, jetojnë 1.2 milionë banorë. Luzhou shtrihet përgjatë lumit Jance dhe është porti më i madh i provincës Sichuan.

Parku i pemishteve longan është ndër zonat më të frekuentuara. Pemët frutorë që rriten përgjatë lumit Jance njihen gjithashtu me emrin "Korridori i Gjelbër". Parku "Zhangba" ka një histori të gjatë prej mbi 100 vjetësh dhe shtrihet në një hapësirë prej 10 kilometrash. Në të qendrojnë të larta e fisnike pemë të mbjella në vitet 1700, 1800, ndërsa pema mbretëreshë është mbjellë më 1672-shin. Deri në vitin 2008, zona ishte e banuar. Në atë kohë banorët u zhvendosën për në zona të tjera, në mënyrë që të mos e dëmtonin mjedisin përreth tyre. Pasi pushteti vendor ka hartuar politika që favorizojnë mjedisin, në një distancë prej 5 kilometrash nuk ndodhen as banesa dhe as fabrika që zhvillojnë aktivitetin e tyre. Mbrojtja e mjedisit është tashmë një prioritet në rritje e vendit.

Bujqësia ende luan një rol të rëndësishëm në ekonominë e Chongqing-ut, një zonë me klimë të përshtatshme për rritjen e perimeve e frutave, si dhe me toka të gjëra e të punueshme.

"Kopshti i Portokalleve me Aromë Trëndafili" është një fshat jo shumë i thellë i qarkut Wanzhou të komunës Chongqing, i cili është i njohur për rritjen e portokalleve dhe mandarinave të cilat mbulojnë 360 000 hektarë tokë. Një lloj i veçantë i portokallit, me aromë trëndafili, i cili importohet nga Italia, është veçanërisht popullor në treg. Kapaciteti aktual i prodhimit nuk është ende në gjendje të plotësojë kërkesën e tregut, por me punë gjithçka mund të jetë e mundur.

Serat e fshatit Tongxing të qarkut Yunyang në Chongqing, në të cilat rriten perime të ndryshme, fruta dhe lule, janë një pasqyrë e zhvillimit të jetës në fshat, ku banorët merren me bujqësi dhe punojnë për prodhimin sa më cilësor të produkteve në zonë, për komunën, por edhe më gjerë në Kinë e jashtë saj.

Në Yunyang vizituam qendrën e planifikimit Urban të Qarkut, ku u fol për faktin se si qyteti i ri, pas përmbysjes së atij të vjetrit, u ndërtua brenda 7 vjetëve dhe kjo kërkoi sakrificën e shumë njerëzve që u zhvendosën në zona të tjera, duke menduar për të mirën e përbashkët dhe zhvillimin afatgjatë të qytetit të ri, jo vetëm për ndërtimin e tij.

Gjatë ndërtimit të kësaj zone, u gjetën edhe skeletë dinosaurësh, një pjesë e të cilave janë bërë publike edhe për vizitorët e ekspozitës së Qendrës së Planifikimit Urban dhe çdo kush që ka interes për këtë fushë mund ta vizitojë atë në çdo kohë.

Ndodhemi 1000 metra mbi nivelin e detit, në malin Wushan, mbi lumin Jance, në "Zonën Panoramike të Perëndeshës së Wushan-it", në një teleferik që kalon mes maleve, mbi zonën e famshme të njohur si "Tre Grykat e Ulëta të lumit Jance". "Zona Panoramike e Perëndeshës" është një nga trashëgimitë natyrore më të rëndësishme në Kinë por edhe në botë. Zhvillimi i infrastrukturës rrugore ka bërë të mundur që vendasit e turistët të kenë më në fund akses ndaj kësaj perle të natyrës. Brenda tre vjetëve, 2013-2016, është çarë mali në mes dhe janë ndërtuar 13 km rrugë malore të cilat më parë ishin të pakalueshme.

Sipas legjendës, mbreti Xiang i mbretërisë së lashtë Chu të Wushan-it, gjatë udhëtimit të tij të gjatë e të lodhshëm në malet e lartë e të thellë të zonës, ndaloi diku për të pushuar, ku e zuri gjumi. Në gjumë të rëndë, ai pa në ëndërr një vajzë me bukuri hyjnore, Perëndeshën Yaogi të mbretërisë së lashtë Ba, me të cilën u dashurua marrëzisht. Kur u zgjua ai ia tregoi gjithë historinë e ëndrrës magjike shoqëruesit të tij, Yu Song, i cili shkroi një poemë për të. Poema u përhap kudo dhe iu rrëfye kujtdo, duke e bërë këtë legjendë shumë të dashur.

Duke e mbyllur me Sichuan-in, do të takohemi sërish, shumë shpejt, në provincën e rradhës, atë të Hubei-t.

Mrekulli
Lajmet Kryesore