Bashkëpunimi Kinë-Emiratet e Bashkuara, rrugë me përfitime të përbashkëta

2018-07-19 20:51:41 CRI Komenti juaj Printoni

Presidenti kinez Xi Jinping ka nisur një vizitë shtetërore në Emiratet e Bashkuara Arabe. Kjo është vizita e parë e tij që prej rizgjedhjes si president i Kinës këtë vit, si edhe vizita e parë e një kreu shteti të Kinës në Emiratet e Bashkuara Arabe në rreth 30 vjetët e fundit.

Në vitin 2012, Emiratet e Bashkuara Arabe u bënë vendi i parë arab i Gjirit që vendosi marrëdhënie të partneritetit strategjik me Kinën. Me këtë rast, të dyja palët kanë shtuar bashkëpunimin në fusha të ndryshme dhe një numër projektesh të bashkëpunimit pragmatik janë realizuar konkretisht. Me përparimin e shpejtë të nismës "Një brez, një rrugë", Kina e vendet e Lindjes së Mesme kanë pasur përparim në bashkëpunimin në sektorin e naftës e gazit natyror.

Krahas kësaj, edhe bashkëpunimi dypalësh Kinë-Emiratet e Bashkuara Arabe po thellohet në infrastrukturë, telekomunikacion, financë, kulturë dhe fusha të tjera. Pasi presidenti i Kinës Xi Jinping propozoi nismën "Një brez, një rrugë" në vitin 2013, princi i kurorës i Emirateve të Bashkuara Arabe Mohammed bin Zayed al-Nahyan iu përgjigj pozitivisht kësaj nisme dhe e vlerësoi lart atë. Kështu, mund të parashikohet që vizita e presidentit Xi në Emiratet e Bashkuara Arabe do të çojë në një bashkëpunim dypalësh më të ngushtë dhe në një nivel më të lartë.

Nëse e shohim nga një aspekt më i gjerë, shtimi i bashkëpunimit nga Kina me Emiratet e Bashkuara Arabe është gjithashtu një nxitje për bashkëpunimin mes Kinës dhe Lindjes së Mesme. Në nismën "Një brez, një rrugë", Lindja e Mesme ndodhet në mes, si një pikë takimi, dhe është një fushë e natyrshme dhe e rëndësishme bashkëpunimi. Tani Kina është partnerja më e madhe tregtare e nëntë vendeve arabe. Ndërkohë, vendet arabe janë furnizueset më të mëdha të naftës bruto për Kinën, zënë vendin e shtatë ndër partnerët më të mëdhenj tregtarë të Kinës dhe janë një destinacion i rëndësishëm i projekteve dhe investimeve të Kinës jashtë vendit.

Që në fillim të vitit 2014, në takimin e 6-të ministror të Forumit të Bashkëpunimit Kinë-Shtetet Arabe, presidenti Xi Jinping deklaroi që "Një brez, një rrugë" është një rrugë me përfitime të përbashkëta mes Kinës dhe vendeve arabe. Ndërkohë, në takimin e 8-të ministror të këtij Forumi, që sapo përfundoi në Kinë, kreu i shtetit i Kinës shprehu shpresën që të dyja palët do të shfrytëzojnë mundësinë e ndërlidhshmërisë, për të nxitur aktivisht bashkëpunimin në fushën e naftës e të gazit natyror dhe të energjisë me lëshim të ulët karboni, duke realizuar njëkohësisht bashkëpunim edhe në financë dhe teknologjitë e reja. Pjesëmarrësit në këtë takim nënshkruan tre dokumente të rëndësishme: Deklaratën e Pekinit, Planin e Veprimit 2018-2020 dhe Deklaratën e Bashkëpunimit për Ndërtimin e Nismës "Një brez, një rrugë". Një gjë e tillë përbën pa dyshim një udhërrëfyes të qartë, sistematik e të plotë për marrëdhëniet kino-arabe në të ardhmen.

Për vendet e Lindjes së Mesme, "Një brez, një rrugë" është një rast historik që nuk duhet të humbet. Në të kaluarën, përparimi ekonomik dhe fuqia e madhe e Perandorisë Arabe dhe Perandorisë Osmane erdhën kryesisht për arsye të rolit të tyre ndërmjetës në Rrugën e Mëndafshit që lidhte Lindjen dhe Perëndimin. Kur Kina propozoi "Një brez, një rrugë", vendet arabe e panë këtë si një mundësi të rrallë për rilulëzimin e tyre dhe të rajonit. Të dyja palët kanë shprehur shpeshherë njohjen e ndërsjellë, duke deklaruar që ato mund të përplotësojnë njëra-tjetrën për sa përket objektivave dhe fushave të zhvillimit. Në këtë mënyrë, perspektiva për ndërtimin e përbashkët të nismës "Një brez, një rrugë" do të jetë shumë e gjerë.(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore