Industria e aviacionit, fuqizim nga aeroportet e Vlorës dhe Kukësit

2018-07-18 09:44:33 CRI Komenti juaj Printoni

Industria e aviacionit merr një rëndësi të jashtëzakonshme në kohët e sotme, pasi rreth 80% e turistëve në botë zgjedhin transportin ajror, duke sjellë ndikim shumë të lartë jo vetëm për zhvillimin e turizmit, por edhe në ekonomi.

Në kuadër të Strategjisë Kombëtare të Transportit 2018-2021, prioritete strategjike për aviacionin shqiptar renditen ndërtimi i aeroportit të Vlorës dhe vënia në funksionim e aeroportit të Kukësit.

Drejtori i Aviacionit Civil, Krislen Keri prezantoi pak ditë më parë prioritetet strategjike dhe objektivat në fushën e aviacionit.

Duke u ndalur tek aeroporti i Vlorës, ai tha se ky është një projekt që do të kërkojë rreth 24 muaj kohë të përfundojë nga data e fillimit të punimeve dhe pritet që t'i sjellë një zhvillim të jashtëzakonshëm turistik zonës së Vlorës, por edhe turizmit në vend.

Një tjetër objektiv është vënia në funksionim e aeroportit të Kukësit, me një kapacitet deri në 1 milion pasagjerë dhe me impakt të madh për vendin, por me ndikim edhe në Kosovë, pasi projeksionet janë që ky aeroport të jetë i kategorisë ultra low cost, deklaroi Keri.

Sipas tij, në terma afatshkurtër, gjithashtu, parashikohet një rritje e fluturimeve në Aeroportin Ndërkombëtar "Nënë Tereza", si e linjave të reja, edhe shtimi i fluturimeve charter. Ndërsa projeksionet për pikun e sezonit janë deri në 35 – 36 fluturime në ditë. (ATSH)

Mrekulli
Lajmet Kryesore