Fed: Tarifat e larta doganore, jo në dobi të ShBA-së

2018-07-18 16:43:50 CRI Komenti juaj Printoni

Është e vështirë të parashikohen ndikimet e politikave të tanishme tregtare mbi ekonominë, por tarifat e larta afatgjata nuk janë në të mirë të ekonomisë amerikane, u shpreh të martën Jerome Powell, kryetari i Rezervës Federale të ShBA-së.

Powell, i cili e ka marrë postin në shkurt të këtij viti, i bëri këto komente në një fjalim të tij mbi politikën monetare të ShBA-së, të mbajtur gjatë nje seance dëgjimore të Komisionit të Financave të Senatit të ShBA-së, që zhvillohet një herë në gjashtë muaj.

Fjalët e Powell-it mbi perspektivën ekonomike të ShBA-së, rritjen graduale të normës së interesit nga Fed-i, objektivin për mbajtjen e inflacionit në nivelin rreth 2% dhe rregullimin financiar janë në përputhje me deklaratat e tij të mëparshme. Lidhur me çështjet tregtare, kreu i Fed-it tha se ende është e vështirë të parashikohet ndikimi i tregtisë mbi zhvillimin ekonomik në të ardhmen.

"Është normale që rritja e tanishme ekonomike që kemi, është shpeshherë më e lartë ose më e ulët sesa parashikimi ynë më i mirë. P. sh., është e vështirë që të parashikohet rezultati përfundimtar i diskutimeve të tanishme mbi politikën tregtare," u shpreh Powell.

Qysh nga viti i kaluar, Shtetet e Bashkuara kanë filluar mosmarrëveshjet tregtare me shumë partnerë tregtarë, duke përfshirë Bashkimin Evropian, Kanadanë, Meksikën, Japoninë dhe Kinën. Për këtë arsye, në këtë seancë senatorët ishin të fokusuar te tarifat doganore. Powell tha se çështjet mbi tarifat janë kompetencë e Kongresit të ShBA-së, por meqenëse tarifat ndikojnë mbi ekonominë kombëtare, ai u shpreh që teorikisht, vendet që ndjekin tregtinë e hapur do të kenë rritje më të shpejtë.

Megjithëse nuk bëri vlerësime mbi politikën e tanishme tregtare të Trump-it, Powell e pranoi që tarifat e larta me siguri do të dëmtojnë ShBA-në.

"Tani është e vështirë të themi çfarë rezultatesh do të kenë (mosmarrëveshjet tregtare). Në karrierën time të kaluar, nuk ka pasur mosmarrëveshje kaq të mëdha. Unë nuk i kam parë të gjitha informacionet për partnerët kryesorë dhe është e vështirë të parashikojmë rezultatin. Nëse rezultati përfundimtar i mosmarrëveshjeve tregtare është ulja e taksave, atëherë kjo do të ishte një gjë e mirë për ekonominë. Nëse ato shkaktojnë tarifa më të larta mbi mallrat e tregtinë e shërbimeve ose ruhet niveli i lartë i tarifave për një periudhë më të gjatë, kjo do të shkaktonte ndikime negative mbi ne dhe ekonomitë e tjera," tha kryetari i Fed-it Jerome Powell. (Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore