MJP-ja: Nuk ka ndonjë krizë buxhetore të shkaktuar nga Kina

2018-07-16 21:04:42 CRI Komenti juaj Printoni

Ditët e fundit revista britanike "Financial Times" publikoi një artikull, ku thuhet se projektet e nismës "Një brez, një rrugë" po përballen me vështirësi në mbarë botën. Shkaku për këtë, sipas gazetës, është zhvillimi dhe financimi jotransparent i Kinës dhe se projektet po nxiten pa u bazuar në gjendjen vendore.

Lidhur me këtë, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme (MJP) kineze Hua Chunying u shpreh në një konferencë për shtyp se këto komente nuk përputhen me gjendjen reale dhe Kina nuk mund t'i pranojë ato.

Ajo theksoi se asnjë ndër vendet partnere të Kinës nuk ka hyrë në krizë borxhesh për shkak të bashkëpunimit me Kinën dhe se asnjë nga krizat e borxheve që kanë ndodhur deri tani nuk është shkaktuar nga Kina.

"Nisma 'Një brez, një rrugë' ndjek rregullën e artë të konsultimeve, ndërtimit dhe ndarjes të përbashkët. Me pjesëmarrjen e palëve të ndryshme, vitet e fundit një numër i madh projektesh janë zbatuar me rezultate konkrete, duke u sjellë vendeve partnere të ardhura nga taksat me vlerë prej 2.2 miliardë dollarësh amerikanë dhe duke krijuar në to mbi 200 mijë vende pune. Kjo është mirëpritur gjerësisht nga qeveritë dhe qytetarët e këtyre vendeve. Në procesin e zbatimit të nismës 'Një brez, një rrugë' me vendet e tjera, Kina gjithmonë respekton parimet e barazisë, hapjes dhe transparencës, këmbëngul në funksionimin e orientuar nga tregu me ndërmarrjet si pjesë kryesore dhe vepron sipas ligjeve të tregut dhe rregullave të përbashkëta ndërkombëtare. Çdo projekt është realizuar pas konsultimeve të barabarta mes palëve. 27 vendet, duke përfshirë edhe Kinën, kanë hartuar bashkërisht 'Parimet udhëzuese të financimit të 'Një brez, një rrugë',' ku shprehet qartë se duhet të krijohet një mjedis financiar transparent, miqësor, jodiskriminues dhe i parashikueshëm. Në to theksohet gjithashtu që duhet të nxitet zhvillimi i vazhdueshëm ekonomik-shoqëror dhe t'i kushtohet vëmendje qëndrueshmërisë së borxhit gjatë mobilizimit të fondeve. Kina në bazë të këtyre parimeve zhvillon bashkëpunimin në fushën e financimit të 'Një brez, një rrugë' dhe ndihmon shumë vende në zhvillim të kalojnë pragun e fondeve. Qeveritë dhe popujt e vendeve partnere të Kinës kanë të drejtën e fjalës për efektin e bashkëpunimit me Kinën," theksoi Hua Chunying para mediave në Pekin.

(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore