Kinë, Rusi, eksplorojnë krijimin e epokës së hekurudhës me shpejtësi të lartë Europë-Azi

2018-07-12 20:48:42 CRI Komenti juaj Printoni

Në ekspozitën e 5-të Kinë-Rusi që po zhvillohet në Yekaterinburg të Rusisë, pjesëmarrësit nga Kina dhe Rusia mbajtën një sërë diskutimesh mbi "ndërtimin e korridorit hekurudhor me shpejtësi të lartë Europë-Azi" dhe u shprehën optimistë për ardhjen e epokës së hekurudhës së shpejtësisë së lartë.

Vitet e fundit, për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe integrimin e ekonomisë botërore, Kina dhe Rusia i kanë kushtuar rëndësi të madhe zhvillimit të transportit tokësor Europë-Azi, sidomos ndërtimit të korridorit hekurudhor me shpejtësi të lartë Europë-Azi.

Gjatësia e hekurudhës së shpejtësisë së lartë në Kinë arriti 25 mijë kilometra dhe Kina ka eksperiencë të madhe në ndërtimin e hekurudhave të këtij lloji. Rusia, nga ana tjetër, hartoi "strategjinë e zhvillimit të transportit hekurudhor 2030" që planifikon zhvillimin e fuqishëm të projektit të hekurudhës me shpejtësi të lartë.

Zv-administratori i Kompanisë së Hekurudhës të Rusisë, Alexander Misharin, tha se Rusia planifikon të marrë në konsideratë eksperiancat e ndërtimit të hekurudhave me shpejtësi të lartë nga Europa, Japonia, Kina etj për të çuar përpara zhvillimin e bashkëpunimit me ta për ndërtimin e rrjetit hekurudhor me shpejtësi të lartë Europë-Azi.

"Ndërtimi i rrjetit hekurudhor me shpejtësi të lartë do të nxitë konkurrueshmërinë. Mbi këtë bazë do të ndërtohet rruga tokësore e mëndafshit dhe do të ndërtohet rrjeti i transportit të Eurazisë."

Drejtori i Grupit Ndërkombëtar Hekurudhor të Kinës, Yang Zhongmin, vuri në dukje se me thellimin e zhvillimit të shkëmbimeve ekonomike midis Kinës e Rusisë, si dhe midis Kinës e Europës, palët do të arrijnë konsensus mbi ndërtimin e korridorit hekurudhor me shpejtësi të lartë Europë-Azi, në të cilin ndërtimi i hekurudhës me shpejtësi të lartë midis Moskës dhe Kazanit do të tërheqë vëmendje të madhe.

"Hekurudha me shpejtësi të lartë midis Moskës dhe Kazanit është projekt me prioritet i korridorit hekurudhor me shpejtësi të lartë Europë-Azi. Lidhur me këtë projekt, të dyja palët kanë organizuar një sërë konferencash dhe kanë nënshkruar dy herë memorandume për të nxitur bashkëpunimin dypalësh", tha ai.

Yang shtoi se Kina dhe Rusia po studiojnë mundësitë mbi ndërtimin e korridorit hekurudhor me shpejtësi të lartë Europë-Azi "midis Moskës e Pekinit". Hekurudha me shpejtësi të lartë midis Moskës dhe Kazanit, si një projekt model i këtij korridori, ndodhet tani në fazën e studimit dhe të dizenjimit. (Çang Çuo/Haris)

Mrekulli
Lajmet Kryesore