Ashpërsimi i luftës tregtare nuk ndalon shtimin e bashkëpunimit të kompanive amerikane me Kinën

2018-07-12 15:49:49 CRI Komenti juaj Printoni

Në mbrëmjen e 10 korrikut, Zyra e Përfaqësuesit Tregtar të ShBA-së publikoi tarifa të reja shtesë prej 10% ndaj mallrave kineze, me një vlerë prej 200 miliardë dollarësh, me arsyetimin se "Kina mori kundërmasa dhe nuk ndryshoi disa nga veprimet e saj tregtare". Lidhur me këtë, Ministria e Tregtisë e Kinës u shpreh se pala kineze nuk mund të pranojë kurrë rritjen e tarifave nga pala amerikane dhe se "për ruajtjen e interesave themelore të vendit dhe të popullit, qeveria kineze do të detyrohet të marrë kundërmasa si gjithmonë."

Nga 50 miliardë deri në 200 miliardë dollarë amerikane, nëse ShBA-ja i zbaton plotësisht këto tarifa shtesë, kjo simbolizon "mbylljen e dyerve" për mbi gjysmën e mallrave kineze të importuara në ShBA. Sipas të dhënave statistikore nga doganet kineze, vjet importet kineze në ShBA-në arritën në një vlerë të përgjithshme prej 429.8 miliardë dollarësh amerikanë. Nëse konsumatori amerikan blen mallrat kineze të përfshira në listën e tarifave shtesë, do të paguajnë të paktën 10% më shumë. Prandaj, Ministria e Tregtisë e Kinës e kritikoi veprimin e palës amerikane, duke e quajtur "sjellje e paarsyeshme që do të sjellë humbjen e besimit" dhe që "do të dëmtojë Kinën, botën dhe vetë ShBA-në."

Në çështjet që kanë të bëjnë me interesat themelore shtetërore dhe kombëtare, asnjë vend sovran nuk mund të bëjë lëshime, prandaj Kina do të përdorë kundërmasa komplekse për të "përballuar deri në fund" luftën tregtare. Por një dukuri interesante është se, me ashpërsimin e luftës tregtare nga Uashingtoni, një numër gjithnjë e më i madh kompanish dhe individësh amerikanë po forcojnë bashkëpunimin me Kinën. Kohët e fundit, në Kinë kanë ardhur shumë personalitete të politikës dhe biznesit amerikan për të planifikuar bashkëpunimin afatgjatë me palën kineze.

Të martën kompania e njohur amerikane e automjeteve elektrike dhe e energjisë "Tesla" nënshkroi një marrëveshje investimesh lidhur me projektin e automjeteve elektrike në Shangai, duke ndërtuar zyrtarisht në Kinë uzinën e vet të parë jashtë vendit. Sipas planit, kjo uzinë do të prodhojë 500 mijë automjete elektrike në vit dhe do të fillojë prodhimin pas Festës tradicionale kineze të Pranverës në vitin 2019. Të mërkurën në Pekin, kryetari i Bashkisë së Çikagos Rahm Emanuel, në krye të një delegacioni ekonomiko-tregtar, nënshkroi me palën kineze "Planin e bashkëpunimit mbi sektorët e rëndësishëm 2018-2023", duke vendosur bashkëpunim në sektorë të rëndësishëm, si mjekësia dhe shëndetësia, prodhimi i përparuar, teknologjitë novatore, shërbimet financiare, bujqësia dhe ushqimet, infrastruktura etj.

Nga një anë, barrierat proteksioniste të Shtëpisë së Bardhë ndaj produkteve kineze shtojnë barrën mbi konsumatorin amerikan; nga ana tjetër, kompanitë e njohura amerikane po shkojnë në Kinë për bashkëpunim afatgjatë. Pushteti vendor në ShBA dhe kompanitë amerikane e kundërshtojnë luftën tregtare nëpërmjet veprimeve konkrete, duke shfaqur besim te tregu kinez.

Në kushtet e politikës të tarifave shtesë të Shtëpisë së Bardhë, kompanitë si "Harley-Davidson", "Mid Continent Nail Corp.", "Tesla" dhe Bashkia e Çikagos po synojnë investimet jashtë ShBA-së. Para disa ditëve, rrjeti amerikan CBS në një raport të tij mori shembullin e celularëve "iPhone" për të treguar se Kina merr një vlerë të shtuar shumë të ulët nga tregtia me ShBA-në dhe se lufta tregtare e nisur nga ShBA-ja ndaj Kinës nuk ka kuptim. Dhoma Amerikane e Tregtisë dhe disa senatorë të vjetër kanë kritikuar ashpër masat e reja tarifore nga qeveria e ShBA-së dhe kanë theksuar se "familjet amerikane do të ndëshkohen" nga këto tarifa.

Me shfaqjen dita-ditës të ndikimeve negative nga shtimi i tarifave, më shumë amerikanë do të pyesin veten se çfarë i sjell popullit dhe vendit një qeveri e paarsyeshme.

(Xu Guang)

Mrekulli
Lajmet Kryesore