OBT-ja fillon shqyrtimin e shtatë të politikave tregtare të Kinës

2018-07-12 10:50:45 CRI Komenti juaj Printoni

Organizata Botërore e Tregtisë, me bazë në Gjenevë, filloi të mërkurën shqyrtimin e saj të shtatë të politikave tregtare të Kinës. Në mbledhjen e shqyrtimit, zv.ministri i Tregtisë i Kinës dhe zv.përfaqësuesi në bisedimet ndërkombëtare të tregtisë Wang Shouwen i njohu të pranishmit me përparimet më të reja dhe masat kryesore të reformës e hapjes në fushën e investimeve të Kinës që nga shqyrtimi i mëparshëm në korrik 2016. Ai foli po ashtu mbi pjesëmarrjen aktive të Kinës në sistemin tregtar shumëpalësh dhe rolin e saj si një vend i madh dhe i përgjegjshëm.

Wang Shouwen-i tha se që nga viti 2001, kur Kina u pranua në OBT, e deri në vitin 2017, vlera e importit të mallrave të Kinës është rritur mesatarisht 13.5 për qind në vit, tre herë më shumë se mesatarja botërore. Rritja mesatare vjetore e tregtisë së shërbimeve të Kinës është 16.7 për qind, që është 3.7 herë mbi nivelin mesatar botëror. Vitin e kaluar kompanitë me investime të huaja në Kinë zinin 44.8 për qind të vëllimit të përgjithshëm të import-eksportit të Kinës. Që nga prilli i sivjetshëm, Kina ka paraqitur 17 çështje në OBT dhe ndaj Kinës janë paraqitur 41 çështje. Kina ka respektuar dhe ka zbatuar me seriozitet vendimet përkatëse dhe ka bërë rregullimet sipas rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë.

Wang u shpreh gjithashtu se aktualisht, sistemi i tregtisë shumëpalëshe po përballet me sfida të mëdha. Kina u bën thirrje anëtarëve të OBT-it të mbrojnë me vendosmëri parimet themelore dhe vlerat thelbësore të këtij sistemi, si trajtimi i vendit më të favorizuar, trajtimi kombëtar, trajtimi i veçantë dhe i diferencuar i vendeve në zhvillim dhe kundërshtimi me vendosmëri i hegjemonizmit tregtar, proteksionizmit dhe unilateralizmit. Në të njëjtën kohë, Kina bën thirrje për të zgjidhur gjendjen e pezullit ku ndodhet zgjedhja e anëtarëve të Organit të Apelimit të OBT-së dhe për të trajtuar kërcënimin sistematik të unilateralizmit ndaj Organizatës Botërore të Tregtisë. (Du)

Mrekulli
Lajmet Kryesore