Samiti i NATO-s fokusohet në ndarjen e përgjegjësive, luftën ndaj terrorizmit e forcimin e mbrojtjes

2018-07-12 10:31:55 CRI Komenti juaj Printoni

 

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha të mërkurën në një konferencë shtypi se liderët e 29 vendeve të NATO-s arritën unanimitet në Samitin e kësaj organizate të zhvilluar po atë ditë mbi ndarjen e përgjegjësive, luftën kundër terrorizmit dhe forcimin e aftësisë parandaluese e të mbrojtjes të NATO-s.

Stoltenbergu bëri të ditur se vendet anëtare ranë dakord të bëjnë përpjekje lidhur me buxhetin e mbrojtjes kombëtare, shtimin e potencialit ushtarak dhe pjesëmarrjen në veprimet e NATO-s. Sivjet tetë vende anëtare pritet të realizojnë objektivin që shpenzimet ushtarake të zënë 2% të PBB-së dhe pjesa dërrmuese e vendeve anëtare planifikojnë ta arrijnë këtë objektiv para vitit 2024.

 

Lidhur me propozimin e presidentit amerikan Donald Trump për ngritjen e shpenzimeve ushtarake në 4% të PBB-së, shefi i NATO-s tha se 2 % është një angazhim i marrë tashmë nga vendet anëtare të Aleancës dhe vendet e ndryshme duhet të veprojnë duke u nisur nga ky objektiv.

Stoltenbergu tha gjithashtu se paqëndrueshmëria në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën Veriore ka ushtruar ndikim ndaj sigurisë së NATO-s, prandaj kjo organizatë do të zhvillojë misione të reja trajnimi në Irak dhe ka vendosur të shtojë mbështetjen antiterroriste ndaj Jordanisë dhe Tunizisë. (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore