Kina dhe Gjermania, rol udhëheqës në thellimin e bashkëpunimit kino-evropian

2018-07-11 20:27:37 CRI Komenti juaj Printoni

Paraditen e së mërkurës kryeministri i Kinës Li Keqiang mbërriti me aeroplan të posaçëm në Pekin, pas përfundimit të vizitës së tij në Evropë. Ekspertët janë të mendimit se, me vizitën e kryeministrit Li Keqiang në Gjermani, Kina dhe Gjermania kanë luajtur rol udhëheqës dhe kanë dhënë energji të re për thellimin e marrëdhënieve kino-evropiane.

Drejtori i Departamentit për Evropën Qendrore e Lindore të Institutit të Studimeve Evropiane pranë Akademisë së Shkencave Shoqërore të Kinës Liu Zuokui mendon se realizimi i bashkëpunimit dhe i shkëmbimeve të gjithanshme midis Kinës e Gjermanisë ka ndodhur në sfondin e tre faktorëve:

"Faktori i parë është thellimi i reformës dhe zgjerimi i hapjes. Një pikë e rëndësishme e vizitës së kryeministrit Li Keqiang është për të treguar që Kina do të zgjerojë hapjen, do të përmirësojë mjedisin e investimeve, do të shtojë importin dhe do të lehtësojë hyrjen në treg. Ky është rast i ri dhe i rëndësishëm për nxitjen e bashkëpunimit midis Kinës e Gjermanisë. Faktori i dytë është proteksionizmi tregtar. Vizita e kryeministrit tregoi se pala kineze kërkon bashkëpunimin dhe kundërshton proteksionizmin tregtar e unilateralizmin. Vizita e tij kishte si synim arritjen e një konsensusi të madh me palën gjermane. Faktori i tretë është shpallja nga Kina e konceptit të diplomacisë së tipit të ri mes vendeve të mëdha dhe propozimi për krijimin e bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit. Gjermania është një nga vendet më të mëdha të BE-së e të Evropës. Forcimi i bashkëpunimit midis Kinës e Gjermanisë tregon se koncepti i diplomacisë së tipit të ri mes vendeve të mëdha ka çuar në forcimin e bazave të marrëdhënieve dypalëshe, në zgjerimin e sferës së vendeve mike dhe në shtimin e shkëmbimeve me vendet e tjera."

Kryeministri Li Keqiang, presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk‎ dhe presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claud Juncker do të drejtojnë së bashku Takimin e 20-të të Liderëve Kinë-BE më 16 korrik në Pekin. Liu Zuokui u shpreh se vizita e kreut të qeverisë kineze në Evropë është edhe një përgatitje paraprake për këtë takim dhe ka luajtur një rol pozitiv për paraqitjen e politikave të Kinës. (Çang Çuo)

Mrekulli
Lajmet Kryesore