Shqipëri, 50 milionë dollarë investime në rrugët rurale, impakt në zhvillimin e agroturizmit

2018-07-08 10:44:23 CRI Komenti juaj Printoni

Në Kuvend ka mbërritur projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së huasë me vlerë 50 milionë dollarë, me Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim e Zhvillim (BERZH), që do të përdoret për rehabilitimin e rrugëve rurale që lidhin fshatrat me qendrat bujqësore, agrobizneset dhe të turizmit.

Sipas relacionit që shoqëron këtë projektligj, nevoja për investime lind referuar problematikave infrastrukturore dhe nevojës për përmirësim në rrugët lidhëse rajonale, potencialit turistik që kanë zonat e projektit, si dhe vlerësimit të prioriteteve të qeverisë shqiptare me fokus zhvillimin e infrastrukturës dhe agroturizimit.

Zhvillimi i infrastrukturës rurale do të fokusohet në prioritizimin e atyre ndërhyrjeve që sjellin përfitim më të madh ekonomik duke mbështetur sektorë produktivë, në bujqësi dhe agroturizëm.

Agroturizmi i fokusuar tashmë edhe me projektin kombëtar "100 fshatrat", do të përfitojë nga përmirësimi i rrugëve që çojnë drejt destinacioneve ekzistuese apo potenciale turistike. Infrastruktura me standarte do të ndihmojë integrimin e fermerëve në zinxhirin agro-ushqimor dhe pjesëmarrjen e tyre në tregje, veçanërisht të grave, të cilat përbëjnë shumicën e forcës së punës në bujqësi në Shqipëri.

Projekti është pjesë e parashikimeve të programit buxhetor afatmesëm 2018 –2020 të Fondit Shqiptar të Zhvillimit. (ATSH)

Mrekulli
Lajmet Kryesore