Zhvillimi i metanit ne Liangjiahe

2018-07-05 16:38:47 CRI Komenti juaj Printoni

 


Në janar të vitit 1974, Rrafshnalta e Lymit ndodhej në mes të dimrit. Fshatarët e Liangjiahe-së ishin të zënë me përgatitjet për Festën e Pranverës që po afronte.

Xi Jinping-u, që sapo ishte zgjedhur sekretar i degës së Partisë të fshatit, mendonte gjithmonë të bënte diçka për të ndryshuar prapambetjen e Liangjiahe-së.

Një ditë, kur po lexonte gazetën "Renminribao", dy njoftime lidhur me përhapjen e përdorimit të metanit në provincën Sichuan tërhoqën vëmendjen e Xi Jinping-ut. Atij i lindi ideja që metani të përdorej në Liangjiahe për gatim e ndriçim.

Liangjiahe gjendet në një zonë të thellë dhe, për të blerë qymyr, fshatarët duhej të shkonin në minierën 50 kilometra larg fshatit. Për një kohë të gjatë, banorët vendës kishin prerë shumë pemë për dru zjarri dhe, si pasojë, mjedisi ekologjik ishte dëmtuar, duke ushtruar ndikim negativ mbi zhvillimin bujqësor. Metani jo vetëm mund të zgjidhte problemin e energjisë në fshat, por mund të përdorej edhe për prodhimin e plehrave për bujqësinë. Mund të thuhet se metani është një energji e pastër për jetën në fshat e prodhimin në bujqësi.

Megjithatë, Xi Jinping-u kishte një dyshim. Midis Sichuan-it e veriut të Shaanxi-së kishte dallime të mëdha klimatike, prandaj a mund të përhapej metani në Liangjiahe?

Xi Jinping-u vendosi të kërkonte përgjigje në Sichuan.

Ai eci më këmbë më se 20 kilometra për në qendër të kontesë, ku e njohu komitetin e Partisë të kontesë me idenë e përdorimit të metanit dhe me planin e tij për të marrë përvojë në Sichuan lidhur me këtë. Plani i Xi Jinping-ut u miratua nga komiteti i Partisë i kontesë dhe, pas Festës së Pranverës, Xi Jinping-u dhe dy shokë të tjerë, duke përfshirë Bai Genzhu-në, u nisën për në Sichuan për të marrë përvojë.

Zv.shefi i Grupit të Përhapjes së Përdorimit të Metanit të provincës Sichuan Yang Chao kishte punuar për tetë vjet në Yanan, në veri të provincës Shaanxi, para themelimit të Kinës së Re, dhe ruante ndjenja të thella për atë zonë. Ai e priti ngrohtë Xi Jinping-un dhe shokët e tij, i njohu hollësisht me gjendjen e përdorimit të metanit në Sichuan dhe i çoi në periferinë e qytetit Chengdu etj., për të hulumtuar e mësuar.

Vizita e Xi Jinping-ut në Sichuan forcoi vendosmërinë e tij për zhvillimin e metanit në Liangjiahe.

Por vështirësitë ishin më të shumta sesa mund të mendohej.

Problemi i parë ishte se ku do të ndërtohej pusi eksperimental i metanit? Toka e oborreve të shtëpive të fshatarëve të Liangjiahe-së ishte e butë dhe e papërshtatshme për hapjen e një pusi të tillë. Rrugët e fshatit ishin të ngushta dhe kishte vështirësi për të transportuar materialet e ndërtimit me makinë. Shtëpitë e fshatarëve ishin të shpërndara, prandaj si të çohej metani në çdo shtëpi ishte një tjetër problem. Por vështirësia më e madhe ishte që në Liangjiahe nuk kishte material guri për kapakun e pusit së metanit.

Vështirësitë duhet të zgjidhen një pas një, puna është e vetmja mënyrë për zgjidhjen e vështirësive.

Për të gjetur gurë, Xi Jinping-u dhe fshatarët gërmuan një tokë lymore dhe nën të gjetën material guri. Për të marrë rërë, Xi Jinping-u dhe disa të rinj të fshatit shkuan për të gërmuar në Qianmagou, 15 kilometra larg. Ata e futën rërën në thasë dhe e transportuan në fshat duke e mbajtur në shpatulla. Shpina e tyre u bë plagë nga thasët e rëndë, por ata nuk ndaluan fare për t'u shplodhur. Për të prodhuar gëlqere, Xi Jinping-u mësoi nga mjeshtrit me përvojë dhe bashkë me fshatarët kërkoi gurë gëlqereje, duke ndërtuar një punishte që ta bënin vetë gëlqeren.

Xi Jinping-u punonte pa pushim për të arritur objektivin për ndërtimin e pusit të metanit.

Megjithatë, disa fshatarë kishin dyshim për punën e Xi Jinping-ut. Sipas tyre, provinca Sichuan ka klimë të ngrohtë, por në Yanchuan klima është e ftohtë dhe nuk kishte mundësi që të përdorej metani aty.

Xi Jinping-u nuk hoqi dorë nga përpjekjet. Ai shprehu bindjen se faktet janë dëshmia më e mirë: ndërtimi i pusit të metanit do të zhdukte të gjitha dyshimet e fshatarëve.

Me besimin e patundur e me përpjekjet e palodhshme, në mes të korrikut të vitit 1974, u përurua pusi i metanit me kapacitet prej 8 metrash kubë. Por Xi Jinping-u zbuloi një problem tjetër: pas vendosjes së tubave, nuk doli metan.

U gjet më në fund se problemi ishte te tubi i ajrit. Xi Jinping-u gjeti një shkop hekuri dhe e nguli në tub. Pasi e nguli për herë të dytë, uji i ndotur shpërtheu nga tubi, duke spërkatur fytyrën e Xi Jinping-ut. Pastaj doli metani.

Xi Jinping-u nuk u shqetësua për ujin e ndotur në fytyrë, por e lidhi përsëri tubin me pusin, pastaj hapi sobën e metanit. Me të ndezur shkrepësen, soba lëshoi flakë me një lartësi prej 30 centimetrash.

Xi Jinping-u pati sukses. Ky lajm u përhap menjëherë në tërë fshatin dhe në konte. Njerëz erdhën nga krahina të ndryshme në Liangjiahe për të shikuar zjarrin magjik nga metani.

Para fakteve, dyshimi për metanin u shua. Fshatarët panë rezultatin e mirë që kishte përdorimi i metanit në ndriçim e në gatim dhe atyre u lindi entuziazmi i madh për të ndërtuar puse metani.

Prova e suksesshme tërhoqi vëmendjen e komitetit të Partisë të prefekturës Yanan, si edhe të komitetit të Partisë të kontesë Yanchuan, që paraqiti objektivin për përdorimin e metanit në tërë kontenë deri në vitin 1977, duke dërguar një grup studimi në provincën Sichuan për marrjen dhe shkëmbimin e përvojës.

Peizazhet e zakonet e provincës Sichuan i lanë Xi Jinping-ut përshtypje të thellë. Gjatë udhës, ai shfrytëzoi çdo rast për të njohur gjendjen e zhvillimit shoqëror e jetën e banorëve vendës.

Pekinasi He Yingui që e shoqëroi Xi Jinping-un gjatë vizitës në Sichuan, u shpreh se Xi Jinping-u është një njeri që do të mësojë e të mendojë, ai përdor të gjitha njohuritë e zotëruara në punën e vet.

Pas kthimit në Yanchan, komiteti i Partisë i kontesë dëgjoi raportin e grupit të studimit dhe vendosi të përhapte menjëherë përdorimin e metanit në tërë kontenë. Në Yanchan u organizuan shumë herë kurse përgatitjeje lidhur me teknologjinë e metanit dhe Xi Jinping-u ishte përgjigjës për mbajtjen e leksioneve.

Gjatë zhvillimit të metanit në Liangjiahe, lindën disa teknologji të reja. Në Liangjiahe mungojnë materialet e gurit dhe fshatarët vendës gjetën mënyrën e ndërtimit të pusit të metanit duke përzier gurët me dheun. Ata përdorën dhe të ngjeshur në vend të çimentos dhe, si rezultat, kostoja e ndërtimit të pusit të metanit u ul nga 40 juanë në 30 juanë. Deri në gusht të vitit 1975, në Liangjiahe u ndërtuan 34 puse metani, duke zgjidhur problemin e energjisë për ndriçim e gatim të 43 familjeve.

Përvoja e përdorimit të metanit në Liangjiahe ushtroi ndikim të madh mbi punën e ardhshme të Xi Jinping-ut.

Pas 15 vjetëve, Xi Jinping-u, që në atë kohë ishte sekretari i komitetit të Partisë të prefekturës Ningde të provincës Fujian, tregoi: "Kur isha në fshatin Liangjiahe të kontesë Yanchuan në veri të provincës Shaanxi, përhapëm përdorimin e metanit duke përfituar nga teknologjia. Familjet nuk përdorën më dru për ngrohje e gatim e vaj për ndriçim. Fshatarët ishin shumë të kënaqur me këtë. Faktet vërtetuan se teknologjia mund të zgjidhë problemet e jetës e të prodhimit të banorëve dhe mirëpritet prej tyre."

Pas mbi 30 vjetëve, kur Xi Jinping-u ishte sekretari i komitetit të Partisë të provincës Zhejiang, vizitoi kontenë Chunan dhe pa posaçërisht pusin e metanit në fshatin Xiajiang. Ai e kërkoi pushtetit vendor të zhvillojë përdorimin e metanit për t'u sjellë banorëve përfitime.

Sot Liangjiahe përdor energjinë elektrike. Për të përkujtuar historinë e përdorimit të metanit, buzë pusit të parë të metanit të ndërtuar nën udhëheqjen e Xi Jinping-ut, u vendos një monument ku shkruhet: "Pusi i parë i metanit në provincën Shaanxi". Rruga që u zgjerua kur u ndërtua ky pus, u shërben ende sot fshatarëve. (Fani)

Mrekulli
Lajmet Kryesore