Think-Tanku amerikan: SHBA-ja ka mundësi të bëhet "Superfuqia gangstere"

2018-07-05 21:13:18 CRI Komenti juaj Printoni
Sipas një sondazhi të publikuar ditët e fundit nga agjencia "Rasmussen Reports", rreth 1/3 e pjesëmarrësve në anketë janë të mendimit se ShBA-ja ka mundësi të përballet me një luftë të dytë civile brenda 5 vjetëve të ardhshëm. Njëkohësisht, në një raport të OKB-së, vihet në dukje se politika e pakësimit të 1.5 trilionë dollarë taksave e qeverisë së Trump-it u ka sjellë të pasurve shumë përfitime duke acaruar gjendjen e pabarazisë midis të varfërve e të pasurve në Shtetet e Bashkuara.

Në fakt, politika e jashtme e qeverisë Trump kritikohet nga tërë globi.

Kohët e fundit, studiuesi i lartë i Institucionit Brookings, Robert Kagan, nxorri një artikull ku paralajmërohet se ShBA-ja ka mundësi të bëhet "Superfuqia gangstere". Ai vuri në dukje se veprimet e presidentit Trump në çështjet tregtare, çështjet e marrëveshjes bërthamore të Iranit, të buxhetit të NATO-s, të Koresë së Veriut etj., kanë treguar se për ta gjunjëzuar botën, ai orvatet të heqë të gjitha kufizimet morale, ideologjike e strategjike që pranohen nga të gjithë presidentët e mëparshëm të ShBA-së.

Pas ardhjes në fuqi të presidentit Trump, ShBA-ja është tërhequr me radhë nga disa marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare duke përfshirë "Marrëveshjen e partneritetit të Paqësorit", "Marrëveshjen e Parisit për Klimën" të OKB-së, "Marrëveshjen për çështjen bërthamore të Iranit" dhe u tërhoq gjithashtu nga UNESKO-ja dhe Këshilli i të Drejtave të Njeriut i OKB-së. Siç mësohet nga media amerikane, presidenti Trump është shprehur disa herë për tërheqjen e ShBA-së nga Organizata Botërore e Tregtisë. Njëkohësisht, pa marrë parasysh thirrjen dhe paralajmërimin e bashkësisë ndërkombëtare, qeveria e Trump-it nisi me kokëfortësi luftën tregtare kundër BE-së, Kanada-së, Meksikës, Kinës, Japonisë, Republikës së Koresë etj. me qëllim që t'i detyrojë ata të pranojnë statusin e mbizotërimit të ShBA-së.

Po në Ditën e Pavarësisë të Shteteve të Bashkuara, më 4 korrik, presidenti Trump akuzoi OPEK-un për rritjen e çmimit të naftës e gazit duke i kërkuar të ulë menjëherë çmimin. Këto veprime kanë shfaqur pakënaqësinë e qeverisë amerikane për sistemin e tanishëm ndërkombëtar e rregullat ndërkombëtare dhe kanë ngjallur shqetësime të thella të ndërkombëtarëve.

Reporteri i gazetës "Uashington Post", Robert J. Samuelson, vuri në dukje se arritja më e madhe e ShBA-së, që pas Luftës së Dytë Botërore, është nxitja e bashkëpunimit ndërkombëtar nëpërmjet aleancës ushtarake e politikës tregtare dhe ky lloj bashkëpunimi ndërkombëtar, nën drejtimin e SHBA-së, është një monument i kohës. Sot me shtimin e pandërprerë të ndikimit të forcave ndërkombëtare në veprimtaritë ekonomike e politike të vendit, orvatja e Trump-it për ruajtjen e fuqizimit të ShBA-së nëpërmjet nacionalizmit është krejt e gabuar. Globalizimi është fuqizuar në të gjitha fushat dhe nuk mund të zhduket nga Trump-i, por politika e proteksionizmit e tij do ta dobësojë globalizimin dhe kjo është një zgjedhje shumë e keqe.

Muajin e kaluar, Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme të Senatit të SHBA-së, Bob Corker dhe 9 senatorë të tjerë, paraqitën së bashku një projekt ku kërkohet të kufizohet e drejta e presidentit amerikan për vënien e tarifave shtesë mbi mallrat e importuara me pretekstin e sigurisë shtetërore.

Është e dukshme që pas shndërrimit në një "superfuqi gangstere", ShBA-ja do t'i sjellë botës kërcënime të mëdha. Ky është një problem serioz që duhet të zgjidhet nga bashkësia ndërkombëtare. (Fani)

Mrekulli
Lajmet Kryesore