Xi Jinping u bë një pjesë e vërtetë e fshatit Liangjiahe

2018-07-04 17:05:00 CRI Komenti juaj Printoni

 

Kur ishte në Liangjiahe, në fillim Xi Jinping-u dhe shokët e tij, si të rinj nga qyteti që shkonin në fshat për t'u edukuar, hanin në familjet e fshatarëve sipas rregullave. Ata duhej t'u paguanin për ushqimin që hanin familjeve të fshatarëve. Fshatarët përgatitin bukë prej misri e soje që vetë ata nuk kishin mundësi të hanin. Kur të rinjtë nga qyteti hanin, fëmijët e familjeve të fshatarëve qëndronin gjithmonë duke i shikuar.

Jeta në fshat ishte shumë e ndryshme nga jeta në Pekin, por jeta e të rinjve të arsimuar ishte më e mirë se e fshatarëve vendorë. Në Liangjiahe, racioni për banor ishte vetëm 10 kg drithëra në muaj, që ishte më pak se gjysma e racionit të drithërave të të rinjve qytetarë. Për të mbushur barkun, fshatarët hanin perime të egra.

Më pas të rinjtë nga qyteti nisën të gatuanin vetë, duke e kuptuar kështu se përgatitja e ushqimeve ishte një punë e vështirë. Së pari, nuk kishte dru për zjarr. Kodrat e fshatit ishin të zhveshura dhe nuk mund të gjeje dru! Fshatarët përpiqeshin ta ndiznin zjarrin nëpërmjet mënyrave të ndryshme. Ata e thanin plehun e bagëtive në diell, për ta përdorur më pas për zjarr. Kur kishte përmbytje, fshatarët rrezikonin për të mbledhur degët e pemëve që sillte uji. Ka pasur raste që ata e kanë paguar me jetën e tyre kur ngjiteshin nëpër shkëmbinj të rrezikshëm për të mbledhur një shkurre që ishte shumë e mirë për djegie.

Të rinjtë e arsimuar nuk dinin si të ngjiteshin nëpër shkëmbinjtë e thepisur dhe s'mund të mblidhnin shkurre, prandaj ata shkuan për të marrë bar të thatë në mal. Ata menduan se bari që kishin mbledhur ishte i mjaftueshëm, por pas vetëm disa minutash i gjithë bari u dogj. Me të gjithë barin që kishin mbledhur gjashtë të rinjtë s'mund të gatuhej as edhe një darkë e vetme. Më vonë brigada e tyre pranoi që të rinjtë të përdornin koçanët e misrit, kështu që problemi i lëndës djegëse u zgjidh.

Të rinjtë shpesh ndienin uri. Brigada shpesh bënte miell gruri dhe ua jepte atyre për të përmirësuar jetën e tyre. Gong Zhengfu mban mend se si një herë Xi Jinping-u po punonte në mal dhe kishte me vete bukë gruri të bardhë. Kur ishte koha e drekës, Xi pa fshatarët që po hanin bukë misri dhe ua dha bukën e tij grave, duke mbetur vetë pa ngrënë.

Gjatë kohës në Liangjiahe Xi Jinping-u hëngri vetëm një herë oriz të bardhë. Në veri të provincës Shaanxi, në atë kohë orizi ishte shumë i rrallë, madje banorët e atyshëm nuk mund të hanin as gjatë Festës së Pranverës. Xi-së orizin ia dha Li Yintang-u.

Li Yintang-u ishte punëtor në qytetin Tongchuan të provincës Shaanxi. Ai ishte shok i ngushtë me Xi-në. Një herë, ai çoi shumë oriz në shtëpi dhe i kërkoi nënës së tij ta gatuante për Xi Jinping-un. Nëna e Yintang-ut përgatiti një tas me oriz të bardhë dhe Yintang-u ia çoi orizin Xi-së.

Xi Jinping-u e ndjeu ngrohtësinë e Liangjiahe-së. Ai është shprehur: "Kur isha i uritur, fshatarët gatuanin për mua. Kur rrobat më bëheshin pis, fshatarët më ndihmonin t'i laja. Kur më griseshin pantallonat, fshatarët më ndihmonin t'i qepja ..."

Shoqëria në fshat është e thjeshtë. Kriteret morale të fshatarëve janë të thjeshta dhe të qarta. Ai që punon shumë dhe është i sinqertë, mund të fitojë respektin e tyre. Në Liangjiahe, puna kryesore që bëri Xi ishte ngritja e digave.

Në atë kohë në fshat nuk kishte makineri të rënda, prandaj ndërtimi i digave mbështetej te forca e njeriut. Së pari sheshohej toka, pastaj ngjeshej me gurë të rëndë. Kjo ishte një punë shumë e lodhshme.

Në atë kohë nuk kishte masa të mbrojtjes në punë. Kështu, nuk kishte doreza dhe Xi Jinping-u i kapte me dorë të zhveshur gurët e mëdhenj për të ndeshur tokën. Një ditë më pas, në duart e Xi-së kishte shumë kallo. Në ditën e dytë, ai vazhdoi të punonte me duart me gjak. Fshatarët thanë: "Jinping-u punon e punon e nuk ndalon", megjithëse puna është shumë e rëndë.

Digat ngrihen zakonisht në dimër. Fshatari Liang Youchang mban mend se në shkurt e mars sipas kalendarit bujqësor kinez, kur akulli e bora fillojnë të shkrijnë në veri të provincës Shaanxi, Xi Jinping-u qëndronte më këmbë i zbathur dhe punonte në ujin e akullt.

Njerëzit e vlerësuan Xi Jinping-un me fjalët: "Djalë i mirë"!

Duke zhvilluar praktikën në fshat, Xi Jinping-u njëkohësisht mori edhe njohuri e ushqim shpirtëror nga librat.

Fshatarët e Liangjiahe-së kishin përshtypjen e thellë se Xi Jinping-u lexonte libra të trashë. Edhe kur kulloste delet në mal, ai nuk harronte të lexonte.

Në atë kohë nuk kishte energji elektrike dhe, pas rënies së diellit, mbarë Liangjiahe binte të flinte. Por në dhomën e Xi Jinping-ut kishte një dritë të dobët, që i dha Xi-së "dritën e madhe".

Xi Jinping-u lexonte shumë letërsi ruse. Ai kujton: "Brezi im është ndikuar shumë nga veprat klasike rusë. Lexova librin 'Ç'duhet bërë?' të Çernishevskit në dhomën time në Liangjiahe. Rahmetovi fle në një shtrat me gozhda për të kalitur vullnetin. Në atë kohë mendonim se, nëse ushtroheshim me këmbëngulje, edhe ne mund ta bënim një gjë të tillë, prandaj e hiqnim dyshekun nga shtrati dhe flinim pa dyshek. Kur binte shi, dilnim jashtë. Kur binte borë, shkonim jashtë për të marrë borë. Bënim dush me ujë të ftohtë. Të gjithë janë ndikuar nga ky libër."

Kur ishte në Liangjiahe, Xi Jinping-u kërkonte kudo për libra. Ai lexonte edhe gazetën letrare "Shanghua" që botohej në Yanchuan të provincës Shaanxi. Nëpërmjet kësaj gazete, ai njohu shkrimtarin e dëgjuar Lu Yao. Të dy bisedonin shpesh. Lu Yao është shprehur se Xi Jinping-u ishte katër vjet më i vogël se ai, por sfera e njohurive të tij ishte më e gjerë.

Pas dy - tre vjetësh, Xi Jinping-u mund të fliste lirisht dialektin vendor.

Xi Jinping-u mësoi të plugonte, mbillte, plehëronte, korrte duke parë fshatarët. Kur takohej me probleme, ai i pyeste ata. Pak nga pak Xi Jinping-u u mësua me punët bujqësore dhe u bë një njeri që i njihte shumë mirë ato.

Përveç punëve bujqësore, Xi Jinping-u mësoi edhe si të qepte rroba, jorganë etj. Megjithëse nuk dilnin shumë bukur, ishin me cilësi të lartë.

Liangjiahe i dha Xi Jinping-ut "njohjen e brendshme", kurse Xi Jinping-u i dha Liangjianghe-së "njohjen e jashtme".

Në Liangjiahe kishte një fshatar të papunë. Një herë, ai vodhi qepë. Sipas traditës, u bë një mbledhje e gjithë fshatit dhe fshatarët e kritikuan atë. Por Xi Jinping-u nuk e kritikoi, por i shpjegoi arsyet pse nuk duhej ta bënte një veprim të tillë dhe i kërkoi të ndryshonte. Ai pranoi.

Mënyra e Xi Jinping-ut për t'i bërë gjërat në mënyrë të arsyeshme u admirua nga fshatarët e Liangjiahe-së, të cilat thanë: "Të lumtë, djali nga Pekini!". Fshatari që vodhi qepët filloi të ndryshonte dhe të merrte pjesë në punët e fshatit. Pastaj, Liang Yuming-u bisedoi me Xi Jinping-un mbi këtë gjë. Xi Jinping-u tha: "Ai bëri vetëm disa gabime të vogla dhe mund të ndryshonte. Ai është njeri që duhet të bashkohet me ne dhe të edukohet."

"Respekt", "ndihmë", "bashkim", këto fjalë e bënë Liang Yuming-un të mendonte se ky djalë që nuk fliste shumë, nuk ishte aq i thjeshtë. Më pas, sa herë ndeshej me vështirësi, Liang-u shpesh bisedonte me Xi-në.

Dhoma e Xi Jinping-ut u bë gradualisht qendra e fshatit Liangjiahe. Njerëzve u pëlqente të shkonin aty, të bisedonin me të dhe ta dëgjonin të fliste për historinë dhe për gjërat e reja. Xi u bë një pjesë e vërtetë e fshatit Liangjiahe. (Çang Çuo)

Mrekulli
Lajmet Kryesore