Kryeministri Li Keqiang nxit forcimin e bashkëpunimit Kinë-EQL

2018-07-04 20:23:28 CRI Komenti juaj Printoni

Kryeministrit kinez Li Keqiang botoi të mërkurën një artikull me titull "Fillim i ri, vizion i ri dhe udhëtim i ri" në dy gazetat kryesore bullgare, "24 Chasa" dhe "Standard", përpara vizitës së tij zyrtare në Bullgari dhe Samitit të 7-të të Krerëve të Qeverive Kinë-Vendet e Europës Qendrore e Lindore (EQL).

Z. Li Keqiang e nis artikullin e vet duke shprehur kënaqësinë për vizitën në Bullgari dhe për pjesëmarrjen në Samitin e 7-të Kinë-EQL në Sofje. Kjo është vizita e parë në 18 vjet e një kryeministri kinez në Bullgari dhe ndalesa e parë e vizitës së tij të parë në Europë pas formimit të qeverisë së re kineze. Vizita synon t'u japë impuls të ri marrëdhënieve kino-bullgare dhe bashkëpunimit "16+1".

Sipas artikullit, Kina do të forcojë përplotësueshmërinë ndërmjet nismës "Një brez, një rrugë" e strategjisë së zhvillimit të Bullgarisë dhe do të nxitë më shumë kompani kineze që janë konkurruese në prodhimin e pajisjeve dhe në inxhinieri, të investojnë në Bullgari dhe të marrin pjesë aktivisht në projektet infrastrukturore të hartuara sipas nevojave vendore. Të dy palët do të punojnë së bashku për të nxitur rritjen e balancuar të tregtisë dypalëshe dhe për krijimin e kushteve më të përshtatshme për turizmin dhe vizitat e ndërsjella. Ato gjithashtu do të forcojnë shkëmbimet kulturore e arsimore, si edhe ato mes të rinjve dhe pushteteve vendore, për ta mbajtur pemën e miqësisë ndërmjet dy vendeve gjithmonë të shëndetshme e të gjelbër.

Kryeministri kinez thekson gjithashtu në artikullin e vet të botuar në gazetat bullgare se Kina dhe vendet e EQL-së janë të nivele të përafërta zhvillimi dhe janë të angazhuara për zhvillimin e përbashkët nëpërmjet bashkëpunimit më të ngushtë të mbështetur te përplotësueshmëria. Të dyja palët janë në procesin e transformimit e të rritjes së nivelit të ekonomisë. Bashkëpunimi "16+1" është i orientuar drejt rezultateve dhe drejtohet nga parimet e respektit të ndërsjellë, barazisë dhe mosndërhyrjes në punët e brendshme. Ky bashkëpunim nuk ka kushtëzime politike.

Të dy palët do të synojnë përfitimet e përbashkëta dhe do të formojnë një sinergji më të madhe ndërmjet kërkesave dhe strategjive të tyre të zhvillimit, duke planifikuar bashkëpunimin afatmesëm- afatgjatë dhe duke nxitur një rritje më të ekuilibruar e më të qëndrueshme të tregtisë dhe investimeve të ndërsjella. Ata janë të përkushtuara për një proces bashkëpunimi "16+1" të hapur e përfshirës, në vend që ta bëjnë atë një "klub" të mbyllur dhe përjashtimor. Ato do të vazhdojnë bashkëpunimin brenda kornizës së ligjeve dhe rregulloreve përkatëse të BE-së dhe sipas parimit të hapjes e të transparencës. Kina është e gatshme të forcojë komunikimin me BE-në dhe mirëpret diskutimet për bashkëpunimin në tregjet e palëve të treta.

Kryeministri Li thekson në artikull se Kina mbetet një mbështetëse e integrimit europian dhe shpreson të shohë një BE të bashkuar, të qëndrueshme, të hapur e të përparuar dhe një euro të fortë. Si një pjesë e rëndësishme dhe përplotësues i dobishëm i marrëdhënieve kino-europiane, bashkëpunimi "16+1" do të ndihmojë në ngushtimin e hendekut të zhvillimit brenda Europës, do të nxitë zhvillimin e balancuar ndërmjet Lindjes e Perëndimit dhe do t'i japë gjallëri të re bashkëpunimit të gjithanshëm Kinë-Europë. (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore