Xi Jinping: Unë jam biri i tokës së verdhë

2018-07-03 17:22:09 CRI Komenti juaj Printoni

Në zemrën e tij, Xi Jinping-u e quan veten si një vendas në Yanan.

Më 14 gusht 2004, kur ishte sekretari i PKK-së në provincën Zhejiang, Xi Jinping dha një intervistë për Radiotelevizionin e Yanan-it. Në përgjigje të pyetjes "A e mendoni veten si një vendas në Yanan?", Xi Jinping-u tha: "Unë e konsideroj veten si një vendas në Yanan, sepse kjo është një pikë fillimi për jetën time ... Shumë prej mendimeve të mia themelore janë formuar në Yanan, kështu që unë e quaj veten nga Yanan-i".

Më 22 dhjetor 1968, kryetari Mao Ce Dun i bëri thirrje publikut: "Është shumë e nevojshme që të rinjtë e arsimuar të shkojnë në zonat rurale për të marrë edukim nga fshatarët e varfër." 17 milionë të rinj të vendit iu përgjigjën thirrjes dhe u larguan nga qyteti në fshat, duke filluar një udhëtim të paharrueshëm.

Edhe Xi Jinping-u i ri ishte anëtar i kësaj ushtrie të madhe. Pikënisja ishte kryeqyteti Pekin dhe pikëmbërritja vendi i shenjtë revolucionar, Yanan.

Më 13 janar 1969, stacioni hekurudhor i Pekinit ishte i mbushur plot me njerëz. "Treni i posaçëm për të rinjtë e arsimuar" u nis për në jug të provincës Henan dhe pastaj shkoi drejt perëndimit përgjatë linjës Longhai dhe mbërriti në Tongchuan, pas qytetit Xian. Pasi hëngrën mëngjes në Tongchuan, të rinjtë e arsimuar u ngjitën në kamionë dhe shkuan drejt Yanan-it.

Më 16 janar, Xi Jinping-u mbërriti në komunën Wenan të qytezës Yanchuan. Pastaj ata u shpërndanë nëpër brigadat e ndryshme të prodhimit.

15 të rinj të arsimuar, duke përfshirë edhe Xi Jinping-un, u dërguan në Liangjiahe. Xi Jinping-u ishte më i riu i këtij grupi. Liang Yuming-u, në atë kohë sekretar i partisë në Liangjiahe, kujton që Xi Jinping-u kishte me vete një kuti me ngjyrë kafe të mbushur me libra. Liang Yuming-u rrëfen që, kur po mbanin valixhet e të rinjve të arsimuar, një fshatar i ri mori një kuti që dukej më e vogla, por ai po ecte më ngadalë se të tjerët. Gjatë pushimit në rrugë, ai peshoi me dorë kutitë e tjera të mëdha dhe pa që kutia që po mbante ai është më e rëndë. Kur mbërritën në Liangjiahe, njerëzit morën vesh se Xi Jinping-u në fakt kishte sjellë dy kuti. Përveç kutisë kafe, kishte edhe një tjetër që ishte plot me libra.

I bardhë, i hollë dhe i gjatë. Kjo ishte përshtypja fillestare e fshatarëve për Xi Jinping-un.

Liangjiahe kishte në atë kohë më shumë se 60 familje dhe mbi 200 banorë. Një lumë i vogël kalon përmes fshatit. Fshatarët banonin në shpella të ndërtuara në të dy anët e lumit. Përreth fshatit kishte shumë kodra të verdha. Qielli errësohej dalëngadalë dhe, kur e shikoje këtë fshat buzë lumit, dritat e llambave të vajit dukeshin si yje. Sipërfaqja e sheshtë maksimale që mund të shihej atje ishte më pak se 100 metra katrorë.

Xi Jinping-u në atë kohë tha: "Kjo qenka si jeta e njerëzve primitivë!"

15 të rinjtë u ndanë në dy grupe. Xi Jinping-u, Dai Ming-u, Lei Pingsheng-u, Wang Yansheng-u dhe Yang Jingsheng-u ishin në grupin e dytë. Ata qëndruan përkohësisht në shtëpinë e Zhang Qingyuan-it, sekretar i Lidhjes së Rinisë Komuniste të fshatit.

Kështu filloi jeta e tyre në Liangjiahe...

Fshatarët i shikonin këta të rinj nga Pekini dhe këta të rinj i shikonin fshatarët.

Ky ishte shikimi mes qytetit dhe fshatit, mes të rinjve të arsimuar ambiciozë dhe fshatarëve të thjeshtë.

Festa e Pranverës e vitit 1969 erdhi shpejt. Të rinjtë e arsimuar hëngrën një darkë si ato me të cilat i presin zakonisht në Yanan mysafirët: mish derri, pulë, qofte dhe brinjë. Në kohën e mungesave materiale, ky ishte me të vërtetë një "banket luksoz" që i befasoi të rinjtë të arsimuar: "Paska gjëra kaq të shijshme në veri të Shaanxi-së!"

Por pas një kohe të shkurtër të këndshme, u shfaq pamja e vërtetë e Liangjiahe-së.

Pas 15 janarit sipas kalendarit kinez, disa banorë të fshatit mbyllën dyert e shtëpive të tyre dhe u larguan.

Çdo vit gjatë këtij sezoni, fshatarët i linin shtëpitë e tyre dhe bashkoheshin me të tjerët që shkonin për të kërkuar ushqim. Në Yanchuan, pothuajse gjysma e fshatarëve shkonin për të kërkuar ushqim në këtë kohë, duke përfshirë edhe drejtuesit e disa brigadave të prodhimit.

Në vitin 2004, kur u intervistua nga Radiotelevizioni i Yanan-it, Xi Jinping-u kujtoi se në atë kohë, gjëja për të cilën njerëzit flitnin më shumë lidhur me të ishte se si ai i dha bukë një qeni. Kur po pastronte çantat, Xi Jinping-u pa se gjysma e një cope buke që ai kishte sjellë nga Pekini ishte prishur dhe ai ia hodhi atë një qeni. Fshatarët kurrë nuk kishin parë dhe nuk kishin ngrënë bukë. Kur dëgjuan nga Xi Jinping-u që ajo ishte bukë, ata nuk e imagjinonin dot se si një gjë kaq e mirë mund t'i jepej një qeni. Pastaj banorët filluan të thoshin që këta të rinj të arsimuar e çonin dëm ushqimin. Shumë shpejt, këto fjalë u përhapën në mbarë qytezën Yanchuan.

Në artikullin "Unë jam biri i tokës së verdhë", Xi Jinping-u e rishqyrton jetën e tij në Liangjiahe: "Kur shkova në fshat, isha i ri, nuk kisha ide afatgjata dhe nuk i kushtoja vëmendje unitetit. Të tjerët punonin çdo ditë në kodra, ndërsa unë punoja sipas qejfit, prandaj nuk u lashë përshtypje të mira njerëzve. "

"Unitetin" që përmend, Xi Jinping-ut ia ka mësuar babai i tij, Xi Zhongxun. Xi Jinping-u thotë: "Babai im shpeshherë më mësonte kuptimin e unitetit dhe na kërkonte që të kishim unitet dhe të përpiqeshim për t'u bashkuar me të tjerët. Nuk është mirë nëse ti bën gjithçka vetëm sipas qejfit."

Me këtë "qëndrim për unitetin", Xi Jinping-u filloi të integrohej me banorët vendas dhe me fshatin. Me këtë "koncept të unitetit", ai formoi gradualisht konceptin e integrimit me popullin dhe banorët e thjeshtë. "Bashkimi me njerëzit" është bërë një nga stilet e tij të veçanta udhëheqëse.

Si një person i ndryshuar, Xi Jinping-u përpiqej shumë për të plotësuar hendekun mes Pekinit dhe fshatit.

Për Xi Jinping-un, gjëja më e padurueshme dhe më e bezdisshme në Liangjiahe ishin pleshtat. Lëkura e Xi Jinping-ut ishte alergjike dhe, pas pickimit nga pleshtat, ai e kruante me duar, duke shkaktuar ënjtje dhe skuqje të lëkurës. Sa më shumë e kruante lëkurën, aq më shumë i kruhej ajo dhe aq më shumë ndiente dhimbje.

Shi Chunyang-u punonte me Xi Jinping-un në atë kohë. Nëpërmjet palëve të ngritura të pantallonave, ai pa plagët e Xi Jinping-ut. Nga pickimi nga pleshtat, këmbët e tij ishin mbushur me puçrra të kuqe dhe ishin bërë plagë. Disa prej kishin zënë kore, kurse nga disa të tjera gjaku po rridhte jashtë...

Xi Jinping-u dhe shokët e tij po kërkonin të gjitha mënyrat për të zgjidhur problemin e pleshtave. Pas dy vjetësh, Xi u mësua me këtë gjendje dhe flinte gjumë pavarësisht se e pickonin pleshtat.

Sipas fshatarëve, Xi Jinping-u në atë kohë kishte shumë njohuri, natyra e tij ishte e butë e qëndrimet e tij nuk ishin as shumë radikale, as konservative. Ai ishte një njeri shumë praktik.

Xi Jinping-u, i cili nuk kishte "stilin e djalit nga qyteti", u njoh shpejt me të rinjtë e fshatit Liangjiahe. Ai u jepte këpucët shokëve të vet të varfër dhe disa herë bëhej berber për të rinjtë e fshatit. Disa herë ai sillej si një trajner noti dhe u mësonte të rinjve të notonin. Të rinjtë e arsimuar në Liangjiahe, si Wang Xianping-u, Shi Chunyang-u, Wu Hui dhe Zhang Weipang-u u bënë shokët e tij.

Njerëzit e pranuan këtë djalë pekinas në zemrat e tyre. Xi Jinping-u gjithashtu ishte bërë si një dritare prej nga njerëzit e fshatit mësonin për botën e jashtme. (Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore