Kina shpreson që ShBA-Kore e Veriut të diskutojnë për zgjidhjen e shqetësimeve

2018-06-29 21:07:55 CRI Komenti juaj Printoni

Me kërkesë të sekretarit amerikan të Shtetit Mike Pompeo, anëtari i Këshillit të Shtetit të Kinës, njëherësh ministri i Jashtëm, Wang Yi, zhvilloi të premten një bisedë telefonike me të. Lidhur me këtë, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Lu Kang, tha në një konferencë shtypi se pala kineze shpreson se ShBA-ja dhe Koreja e Veriut do të diskutojnë për mënyrën efikase të zgjidhjes së një sërë shqetësimesh midis tyre, në mënyrë që të nxitin procesin e vazhdueshëm të zgjidhjes politike të çështjes në Gadishullin Korean.

Sipas burimeve nga pala amerikane, gjatë kësaj bisede telefonike, të dyja palët ritheksuan objektivin e arritjes me sukses të denuklearizimit të Gadishullit. Pompeo përmendi çështjet e lidhura me zbatimin e rezolutave të Këshilit të Sigurimit mbi Korenë e Veriut. Lidhur me këtë, në konferencën e shtypit të së premtes, Lu Kang iu përgjigj pyetjes së gazetarëve:

"Gjatë telefonatës me sekretarin amerikan të Shtetit Pompeo, anëtari i Këshillit të Shtetit të Kinës Wang Yi shtjelloi qëndrimin parimor të palës kineze lidhur me çështjen e Gadishullit Korean. Ne shpresojmë që ShBA-ja dhe Koreja e Veriut do t'i përmbahen rezultateve të arritura në takimin mes liderëve të të dy vendeve në Singapor, si dhe do të jenë në kontakt të vazhdueshëm për përpjekje të përbashkëta konkrete në këtë drejtim."

Zëdhënësi i diplomacisë kineze vuri në dukje gjithashtu se në zbatimin e rezolutave përkatëse të Këshillit të Sigurimit, pala kineze ka mbajtur qëndrimin konsekuent dhe të qartë. (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore