ShBA-ja, një ndër 10 vendet më të rrezikshme për femrat

2018-06-28 16:52:11 CRI Komenti juaj Printoni

Shtetet e Bashkuara u renditën për herë të parë në mesin e 10 vendeve më të rrezikshme për femrat, sipas një sondazhi të publikuar të martën.

Fondacioni "Thomson Reuters" mori në pyetje 548 ekspertë botërorë me ekspertizë në çështjet e grave, duke i pyetur ata se, sipas tyre, cilat janë vendet me rrezikshmëri më të lartë për femrat. Fushat të cilat u përdorën për të matur rrezikshmërinë e një vendi ishin shëndetësia, diskriminimi, traditat kulturore, dhuna seksuale, dhuna jo-seksuale dhe trafikimi i qenieve njerëzore.

ShBA-ja u rendit si vendi i 3-të më i rrezikshëm përsa i përket dhunës seksuale ndaj grave dhe vendi i 6-të në aspektin e dhunës jo-seksuale duke përfshirë dhunën në familje, atë fizike dhe psikologjike. Në tërësi, Shtetet e Bashkuara u renditën në vendin e 10-të më të rrezikshëm në botë për femrat.

Sondazhi u bë pas fushatës "#MeToo" kundër ngacmimeve seksuale, që u vu në qendër të vëmendjes në ShBA në tetor të vitit të kaluar pas akuzave ndaj regjisorit të famshëm të Hollivudit, Harvey Weinstein, për ngacmime seksuale të mbi 70 femrave.

ShBA-ja është i vetmi vend perëndimor që renditet në 10 vendet më të rrezikshme në botë për femrat. Në listën e këtyre vendeve renditen gjithashtu India, Afganistani, Siria, Somalia, Arabia Saudite, Pakistani, Republika Demokratike e Kongos, Jemeni dhe Nigeria. (Haris)

Mrekulli
Lajmet Kryesore