Kanadaja miraton përdorimin e kartës UnionPay për udhëtarët kinezë

2018-06-25 10:21:59 CRI Komenti juaj Printoni

Kanadaja ka miratuar UnionPay-n, kompania më madhe e Kinës që ofron shërbimin e pagesave nëpërmjet kartave bankare, si një opsion të ri pagesash. Lejimi i përdorimit të kësaj karte nga pala kanadeze do të lehtësojë qasjen e pagesave online për turistët kinezë.

Opsioni i ri i pagesës është një prej masave që ka marrë kohët e fundit qeveria kanadeze për të mbështetur rritjen në qendrat e vizave kanadeze në Kinë.

Ministrja kanadeze e Biznesit të Vogël dhe Turizmit Bardish Chagger po udhëheq një delegacion në Pekin për të promovuar turizmin si pjesë e festimit të Vitit të Turizmit Kanada-Kinë. Ajo shprehet se Kanadaja po merr më shumë masa për të lehtësuar udhëtimin e turistëve kinezë në vendin e saj.

"Për të lehtësuar procesin e ardhjes së turistëve kinezë në Kanada kemi hapur shtatë qendra të reja të aplikimit për viza dhe kompania e fluturimeve "Air Canada" ka nisur pesë fluturime të reja direkte për të siguruar që më shumë vizitorë të vijnë në të dyja drejtimet".

Ambasadori i Kanadasë në Kinë, John McCallum;

"Mendoj se kjo do të sjellë shumë në marrëdhëniet dypalëshe, si në aspektin e marrëdhënieve tregtare, ku shumë turistë udhëtojnë në të dyja drejtimet, rrit vendet e punës në të dy shtetet dhe kjo është e rëndësishme, por gjithashtu krijon më shumë shkëmbime njerëzore. Kur udhëtarët kinezë shkojnë në Kanada, ata e njohin më mirë Kanadanë, kur kanadezët vijnë në Kinë, ata e kuptojnë më mirë Kinën, kështu që rritet mirëkuptimi i ndërsjellë. Nga ana tjetër, turizmi ka treguar se çon në investime në sektorë të tjerë".

Numri i turistëve kinezë është rritur vitet e fundit. Vetëm në vitin 2017, ky numër u rrit me 18 për qind. Kjo rritje e vizitorëve kinezë kontribuoi rreth 1.25 miliard dollarë kanadezë (rreth 1 miliardë dollarë amerikanë) në ekonominë e Kanadasë, një shumë që pritet të rritet ndjeshëm në katër vitet e ardhshme. (Albana)

Mrekulli
Lajmet Kryesore