Bashkësia ndërkombëtare i kushton vëmendje daljes së ShBA-së nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut

2018-06-22 10:38:50 CRI Komenti juaj Printoni

(Nikki Haley)

Ambasadorja e ShBA-së në OKB Nikki Haley shpalli të martën në Uashington daljen e ShBA-së nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut i OKB-së, duke u shprehur se ky Këshill "ka paragjykim ndaj Izraelit" dhe "nuk mund të mbrojë në mënyrë efektive të drejtat e njeriut". Bashkësia ndërkombëtare i ka kushtuar vëmendje të madhe kësaj çështjeje dhe liderët e qeveritë e shumë vendeve kanë bërë deklarata për të shprehur keqardhjen për këtë veprim të ShBA-së.

Delegacioni i përherhshëm i Rusisë në OKB publikoi të mërkurën një deklaratë, ku thuhet se ShBA-ja dëshiron ta shndërrojë Këshillin për të Drejtat e Njeriut të OKB-së në një mjet për të nxitur interesat e veta dhe për të dënuar vendet që nuk i pëlqejnë asaj. Por, sipas deklaratës, Këshilli për të Drejtat e Njeriut dhe të gjitha organizmat e OKB-së u shërbejnë të gjithë vendeve anëtare dhe jo vetëm një vendi a një grupi vendesh.

Po të mërkurën, ministrja e Jashtme e Australisë Julie Bishop shprehu në një deklaratë "dëshpërimin" për këtë vendim të ShBA-së, si edhe shpresën se ShBA-ja do të jetë përsëri një vend anëtar i këtij Këshilli.

Edhe Ministria e Jashtme e Meksikës publikoi të mërkurën një deklaratë, ku thuhet se vendimi i ShBA-së për tërheqjen nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut i OKB-së nuk mund të shmangë detyrimet ndërkombëtare të ShBA-së për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Në deklaratë thuhet se qeveria meksikane shpreh bindjen se vetëm multilateralizmi është "mënyra e përshtatshme" për të përballuar sfidat globale dhe se mbrojtja e forcimi i agjencive të OKB-së janë shumë të rëndësishme.

Këshilli për të Drejtat e Njeriut i OKB-së përbëhet prej 47 anëtarësh. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së zgjedh çdo vit rreth një të tretën e anëtarëve të këtij Këshilli. Çdo mandat i anëtarëve të Këshillit zgjat tre vjet dhe mund të rinovohet vetëm një herë. (Du)

Mrekulli
Lajmet Kryesore