OKB: Vendi i ShBA-së në Këshillin e të Drejtave të Njeriut do të plotësohet me një anëtar nga i njëjti rajon

2018-06-21 11:08:45 CRI Komenti juaj Printoni

Zëdhënësi i presidentit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së Miroslav Lajcak tha se vendi i lirë në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara, i mbetur pas tërheqjes së ShBA-së, do të plotësohet nga një vend anëtar nga i njëjti rajon.

Ai vuri në dukje se sipas rregullores të Asamblesë së Përgjithshme, 47 vendet e Këshillit janë të ndara sipas kriterit gjeografik. Kështu, vendi i lirë i mbetur nga ShBA-ja duhet të plotësohet nëpërmjet zgjedhjes në Asamblenë e Përgjithshme të një kandidati nga grupi rajonal "Europa Perëndimore dhe vende të tjera", të cilit i përket ShBA-ja.

Zëdhënësi u shpreh se Asambleja e Përgjithshme po pret njoftimin zyrtar nga ShBA-ja për tërheqjen e saj.

Ende nuk dihet se kur do të zgjidhet anëtari i ri, teksa sesioni i tanishëm i Asamblesë së Përgjithshme po mbyll punimet.

Në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së ka gjithsej 47 vende. Azia dhe Afrika kanë nga 13 vende secila, Amerika Latine dhe Karaibet 8, Europa Lindore 6 dhe Europa Perëndimore e vende të tjera 7. Asambleja e Përgjithshme rizgjedh çdo vit një të tretën e anëtarëve të Këshillit, të cilët kanë mandat trevjeçar, i cili nuk mund të zgjatë më shumë se një herë. (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore