Sekretari amerikan i Shtetit pritet të vizitojë Kinën, do të flitet mbi takimin Trump-Kim

2018-06-13 20:03:13 CRI Komenti juaj Printoni

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, pritet të vizitojë Kinën të enjten, ku do të flasë mbi samitin e zhvilluar në Singapor midis presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe liderit suprem të Koresë së Veriut, Kim Jong Un.

Vizita e Pompeo-s bëhet me ftesë të këshilltarit kinez të Shtetit, njëherësh ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, njoftoi të mërkurën në një konferencë për shtyp zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Geng Shuang.

Të dyja palët do të shkëmbejnë mendime mbi lidhjet e ndërsjella dhe çështjet e rëndësishme ndërkombëtare dhe rajonale me interes të përbashkët, tha Geng-u.

Duke e quajtur vizitën e sekretarit amerikan të Shtetit si "një shkëmbim të rëndësishëm të nivelit të lartë mes të dy palëve", Geng-u shtoi se Kina shpreson që të nxisë mirëkuptimin, të menaxhojë siç duhet dallimet dhe të zgjerojë më tej bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara.

Zhvillimi i shëndetshëm dhe i qëndrueshëm i marrëdhënieve Kinë-ShBA është në interes jo vetëm të të dyja palëve, por të të gjithë botës dhe bashkësia ndërkombëtare e mirëpret një gjë të tillë, tha Geng. (Haris)

Mrekulli
Lajmet Kryesore