Trump-i: "Takimi me Kim-in mund të zhvillohet sipas planifikimit"

2018-05-26 11:37:12 CRI Komenti juaj Printoni

Presidenti i ShBA-së Donald Trump theksoi të premten se takimi i tij me udhëheqësin e lartë të Koresë së Veriut Kim Jong Un mund të zhvillohet siç ishte parashikuar.

"Ne kemi bisedime shumë të frytshme me Korenë e Veriut për zhvillimin e samitit, i cili, nëse ndodh, ka të ngjarë të mbetet në Singapor në të njëjtën datë, 12 qershor", tha Trump-i në "Tweeter".

Ai shtoi që, nëse është e nevojshme, takimi "do të shtyhet përtej kësaj date".

Trump-i tha të premten se takimi i tij i planifikuar me Kim-in "mund të jetë edhe më 12 (qershor)," duke shtuar se të dyja palët dëshirojnë që takimi të bëhet.

"Ne do të shohim se çfarë do të ndodhë. Tani po flasim me ta," tha Trump-i. "Ata duan shumë që ta bëjnë këtë. Edhe ne do të dëshironim ta bënim."

Trump-i i dërgoi të enjten një letër Kim-it, duke thënë se takimi i tyre i planifikuar nuk do të zhvillohej.

Zëvendësministri i Jashtëm i Koresë së Veriut Kim Kye Gwan tha se vendi i tij është i gatshëm të ulet në tryezën e bisedimeve me Shtetet e Bashkuara në çdo kohë për të zgjidhur problemet që ekzistojnë midis tyre.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Lu Kang tha të premten në një konferencë të përditshme për shtypin se Kina shpreson që Koreja e Veriut dhe Shtetet e Bashkuara do të vlerësojnë përparimin e kohëve të fundit dhe do të vazhdojnë të trajtojnë shqetësimet e ndërsjella përmes dialogut e të nxitin denuklearizimin e Gadishullit Korean.(Artan)

Mrekulli
Lajmet Kryesore