Tsereteli: Forcat politike të angazhohen për hapjen e negociatave me BE

2018-05-25 10:22:09 CRI Komenti juaj Printoni

Forcimi i sigurisë dhe bashkëpunimit midis vendeve anëtare të OSBE, me diplomacinë parlamentare, reformën zgjedhore në Shqipëri, bashkëpunimin rajonal dhe shumë çështje të tjera, ishin subjekt i bisedës së Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, me Presidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, George Tsereteli dhe Sekretarin e Përgjithshëm, Roberto Montella.

Tsereteli dhe Montella vlerësuan rolin dhe kontributin që Shqipëria jep në proceset e paqes, sigurisë dhe bashkëpunimit në kuadër të OSBE. Tsereteli vlerësoi reformat e thella të ndërmarra nga Shqipëria si në fushën e drejtësisë, zhvillimit ekonomik të vendit, të një qeverisje të mirë, por edhe në reformën zgjedhore. Ai inkurajoi Shqipërinë që të vazhdojë rrugëtimin në këtë drejtim, rrugëtim i cili e sjellë edhe më afër me BE, për çka Shqipëria do të ketë edhe mbështetjen e AP të OSBE-së.

Ministri Bushati vuri në dukje se "Shqipëria ka marrë tashmë një rekomandim të pakushtëzuar nga Komisioni Europian për hapjen e negociatave me BE, bazuar në progresin e bërë dhe pret tashmë edhe vendimin e Këshillit për formalizimin e tij. OSBE mund të japë në vijim një kontribut me ekspertizën e saj në ato fusha ku Shqipëria do të negocioje me BE, të cilat ndërlidhen edhe me prioritet e kësaj organizate", vuri në dukje Ministri Bushati. (ATSH)

Mrekulli
Lajmet Kryesore