Tifozët, kartë të posaçme identiteti për të ndjekur në stadium ndeshjet e Kupës së Botës në Rusi

2018-05-24 09:54:07 CRI Komenti juaj Printoni

Dashamirësve të futbollit do t'u nevojitet jo vetëm një biletë për të ndjekur ndeshjet e Kupës së Botës 2018 në Rusi, por duhet edhe të aplikojnë për të marrë një të ashtuquajtur Kartë Identiteti Tifozi (FAN ID) nga qeveria ruse.

Dokumenti, i cili siguron hyrjen pa viza në Rusi dhe futjen në stadiume, është pjesë e sistemit të sigurimit të Kupës së Botës.

Për të aplikuar për një Kartë Identiteti Tifozi, të interesuarit duhet të regjistrohen në internet dhe të plotësojnë një formular me informacionin personal, duke përfshirë të dhënat e pasaportës, adresën dhe numrin e telefonit.

Informacioni i dorëzuar pastaj përpunohet nga Shërbimet Federale të Sigurisë të Rusisë, të cilët janë të autorizuara të mos i pranojnë aplikimet nga ata që nuk i kalojnë kontrollet e sigurisë.

Drejtori ekzekutiv i projektit FAN ID Andrey Romankov thotë:

"FAN ID mund të përdoret vetëm gjatë periudhës së Kupës së Botës. Mund të përdoret në të gjithë turneun për të parë çfarëdo ndeshje, është falas dhe ka disa përfitime të tjera: lejon hyrjen pa viza në Federatën Ruse për shtetasit e huaj gjatë periudhës së Kupës së Botës, nga 4 qershori - 10 ditë para fillimit të ndeshjes së parë - deri më 15 korrik."

Sipas zyrtarëve rusë, deri në mes të majit janë paraqitur më shumë se 900 000 aplikime për Kartën e Identitetit të Tifozit, gjysma prej të cilave nga shtetas rusë.

Për sa u përket vendeve të tjera, aplikimet më të shumta janë nga Shtetet e Bashkuara, Meksika, Argjentina, Kina, Brazili, Peruja dhe Gjermania.

Mrekulli
Lajmet Kryesore